Osman Osmani që më shumë se katër dekada jeton në Zvicër. Përgjatë viteve të 80-ta deri në fund të të 90-ave, ka qenë pjesë e organizimit ilegal të shqiptarëve. Në dekadat e fundit është pjesë e angazhimit sindikal në Zvicër dhe ndjek nga afër edhe zhvillimet në Kosovë në sferën e sindikatave dhe vështirësive socio-ekonomike në vend.
Nacionale ka zhvilluar një intervistë të gjatë me sindikalistin nga Zvcira, Osman Osmani, ku ndër të tjera ka biseduar rreth orientimit politik të partive në Kosovë, politikave të Qeverisë Kurti, organizimit sindikal në vend, përplasjeve mes sindikatave dhe qeverisë, si dhe në përgjithësi rreth gjendjes socio-ekonomike në Kosovë.
Janë bërë tashmë 1 vit prej se në krye të qeverisë është Vetëvendosje. Sipas deklarimit të tyre, VV është socialdemokrate, e po ashtu e dimë se ju mbroni politikat e majta. Si po ju duket qeverisja e deritanishme me në krye Albin Kurtin?
Nga periudha të caktuara kohore në Kosovë ka pasur një rendje të subjekteve politike për tu deklaruar herë demokratike e herë socialdemokrate. Përtej zotimeve e deklarimeve të tilla verbale, është herët për të bërë një bilanc dhe për të vlerësuar se a zbatohen edhe politika të tilla qoftë demokratike apo edhe socialdemokrate. Personalisht me vite të tëra jam angazhuar për rrjetëzim dhe edhe institucionalizim të bashkëpunimit ndërpartiak të subjekteve me prirje, deklarime e programe të majta, në këtë rast të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Kosovës. Në ndërkohë edhe gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare mbështetja e PS-së së Zvicrës sa i përket partisë të deklaruar si socialdemokrate ka qenë e pakursyer, edhe përkundër faktit se LV nuk e ka pa të denjë të fusë në listë ndonjë kandidat socialdemokrat nga diaspora jonë e Zvicrës.
Sa i përket ndryshimit, unë personalisht kam një metodë specifike të matjes së ndryshimit. Gjatë rrugëtimit nga lagjja ku kam shtëpinë deri në shesh, ndesh të njëjtat parregullsi që vazhdojnë të vështirësojnë jetën e qytetarëve. Mungesa e trotuarëve dhe pengesat në të ecur nga automjetet e parkuara në trotuar dhe anë rrugës si dhe ecja me rrezik, krijon shqetësim edhe për një të ri të shkathët e lëre më për personat e moshuar e fëmijët, e për nënat me foshnje dhe personat me nevoja të veçanta as të mos flasim.
Ndërsa, posa arrij në sheshin e vogël të Prishtinës, ku fatmirësisht nuk qarkullojmë automjetet, aty pashmangshëm, çdoherë, me ndonjë përjashtim të shkurtër gjatë ditës, ndeshem me parregullsi e anomali tjera. Aty përgjatë gjithë sheshit ndeshi po të njëjtit persona lëmoshë-kërkues, me të njëjtat shfaqje vizuale e auditive, sa të mjerueshme aq edhe irrituese. Unë për këtë situatë nuk dua të përkufizoj përgjegjësin apo fajtorin as tek ekzekutivi i qytetit, as tek ai i vendit. Fakt i pandryshuar dhe i pamohueshëm mbeten parregullsitë e anomalitë e trashëguara, të cilat pavarësisht ndërrimit të ekzekutivit vazhdojnë njëjtë dhe thuaja se janë bërë normalitet.
Si shumë shtetase e shtetas të vendit dhe të diasporës sonë, edhe unë kam pasë pritjet, që kanë qenë të natyrshme, duke pasur parasysh zotimet e zëshme të shoqëruara edhe me veprime jo edhe aq të popullarizuara karshi parregullsive të partive e koalicioneve qeverisëse të mëparshme. Edhe mbështetja e votuesve kontribuues ka pasë pritshmëri për ndryshime të mëdha në të mirë të të gjithëve.
Për mendimin tim, partitë politike në Kosovë duke pasur parasysh arbitraritetin e protektorëve, duhet të jenë më të kursyera në raport me zotimet, ashtu edhe të kultivojnë bashkekzistencën politike, në vend se armiqësisë ekstreme mes tyre. Kur edhe pas 12 viteve të shpalljes së Republikës së Kosovës, faktikisht kemi një sovranitet të kufizuar të vendit dhe procesin ende të papërfunduar të shtetndërtimit. Kjo gjendje është rezultat edhe i qëndrimit kundërthënës të faktorit vendimmarrës ndërkombëtar. Mjerisht, konkurrenca partiake e politike edhe më tej qëndron në ofertën për të kryer shërbime dhe për të zbatuar pritjet e faktorit ndërkombëtar (përfaqësuesve të vendeve të kuintit), e jo konkurrencë e programeve politike e sociale që duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të vendit.
Këto dy vitet e fundit jemi përballur me kriza të njëpasnjëshme: njëherë pandemia Covid-19, pastaj kriza e energjisë elektrike dhe tash së fundmi pasojat globale nga lufta në Ukrainë – të gjitha këto janë përcjellë me rritjen e kostos së jetës. Duke ditur problemet socio-ekonomike në Kosovë, si i shihni kundërpërgjigjet e Qeverisë së Kosovës karshi pasojave të shkaktuara nga këto kriza?
Krizat janë dhe kanë qenë gjithmonë pjesë përbërëse e zhvillimeve në shoqërinë njerëzore dhe ato ndikojnë si në bashkësinë e shteteve ashtu edhe në shtetet e veçanta. Përderisa krizat e mëhershme shumicën e shteteve dhe shoqërive i kanë gjetur të ndara apo edhe më pak përfillëse, kriza e Pandemisë ka pasur përmasa globale dhe si vazhdimësi e saj edhe lufta agresive e Rusisë karshi fqinjes së saj Ukrainës. Që të dyja shihen si një kërcënim serioz i përmasave globale, apo thënë më mirë reagimi i shumicës së shteteve dhe shoqërive gjithandej është më unik se sa në krizat e luftërat e deritashme.
Sa i përket krizës energjetike, mbetet të shpresojmë se ky problem do të shërbejë si leksion e mësime për t’i parandaluar përsëritjet e krizave të tilla, apo të ngjashme.
Çuditërisht si te pandemia, edhe te krizat si ajo energjetike e po ashtu edhe tek agresioni rus në Ukrainë, pasojat më të mëdha i kanë bartur shtresat më të pambrojtura të shoqërisë. Jo vetëm te ne por edhe në vendet tjera, duket se për ata që kanë tepër pasuri dhe shumë rezerva, krizat e tilla kanë shërbyer për shtim të fitimit e të pasurisë, ndërsa varfëria thellohet dhe krizat e tilla i godasin më fort shumicën e popullatës që kanë më pak.
Janë duke u zhvilluar përplasje të vazhdueshme mes sindikatave në Kosovë dhe Qeverisë Kurti. Si po i shihni këto përplasje, a janë kërkesat e sindikatave të duhura, si dhe cila është përgjigjja e qeverisë karshi sindikatave sipas jush?
Është fakt i pamohueshëm se punonjësit e Kosovës janë të shfrytëzuar rëndë. Edhe pse luajnë rol kyç në procesin e punës në sektorin privat dhe atë shtetëror, ata trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Sidomos në sektorin privat. Këtu kanë dështuar edhe sindikatat, të cilat janë ende duke u përballur me një krizë serioze: zvogëlimi i numrit të anëtarëve, ankorim i varfër para së gjithash në sektorin privat, ankorim i varfër në regjione, fragmentim (copëtim) i sindikatave, varësia nga partitë politike në pushtet, përfshirje në procesin e privatizimit dhe shpronësimit të pasurisë shoqërore. Moszbatimi i ligjit të punës; mosrespektimi i orarit 8-orësh, mungesa e kontratave të punës dhe e rrogës së garantuar minimale, mungesa e mbrojtjes ligjore në rast të sigurisë, lëndimi apo rrezikimi i shëndetit në punë, mospagesa për orët shtesë të punës, mbrojtja e shëndetit dhe siguria në vendin e punës, etj.
Shto kësaj edhe mungesën e një sistemi të sigurisë elementare shoqërore në vend, pamundësinë që me pagën aktuale të përballojë harxhimet elementare jetësore, e bën edhe më të rëndë situatën e punëmarrësve dhe shumicën e popullatës së aftë për punë në Kosovë, të cilët në mungesë të perspektivës jetësore preferojnë migrimin e parregullt.
Kështu, mund të vijmë në përfundim se sindikatat kanë dështuar edhe në krijimin e një raporti të forcave në favor të punëtorëve dhe në vend se t’i qaseshin aktivisht zgjidhjes së këtyre problemeve, ato janë bërë vetë pjesë e problemit.
Duhet një reformë gjithëpërfshirëse për t’u bërë ato faktor vendimtar dhe shtytëse e interesave të punonjësve. Për këtë kërkohet edhe një vullnet i theksuar, sidomos në udhëheqjen sindikale, që të lëvizin gjërat përpara. Pa një reformë thelbësore, nuk do të mund të adresohen problemet e shumta të fuqisë punëtore në vend.
Ne presim që të përcaktohet paga minimale, e cila duhet të shërbejë për të përballuar harxhimet e domosdoshme jetësore. Kjo është edhe një pritshmëri krahas edhe 4 tjerave të sindikalistëve dhe socialdemokratëve shqiptaro-zviceranë dhe subjektit në të cilin ata veprojnë (Partia Socialdemokrate e Zvicrës), të adresuar në rezolutën e aprovuar njerëzi në konferencën e qershorit të vitit 2021.
Sot e pamë se qeveria ndau 100 milionë euro të cilat do shpërndahen për grupe të caktuara shoqërore, nga 100 euro për person – do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë nga kjo. Si po e shihni këtë politikë sociale të Qeverisë Kurti?
Ky veprim me 100 eurot mund të shihet e të interpretohet edhe si reagim i qeverisë karshi kërkesave në protestën e brishtë të BSPK-së, për tejkalimin e situatës aktuale dhe për të fituar kohë, deri tek aprovimi i pagës minimale. Qëndrimet dhe pritjet e BSPK dhe shumicës së sindikatave janë – thënë butë – paksa të palogjikshme. Qeveria mund vetëm të garantojë marrëveshjen e përgjithshme kolektive të punës në mes palëve, në këtë rast mes përfaqësuesve të punëdhënësve dhe atyre të punëmarrësve. Se sa i përfaqësojnë shoqatat aktuale të biznesit me të vërtetë interesat e ndërmarrjeve, veçanërisht atyre të vogla e të mëdha, kjo është një temë më vete që kërkon një trajtim më të thellë. Ndërsa sa i përfaqësojnë sindikatat aktuale interesat e shumicës së punëmarrësve në vend, kjo është temë më vete.
Sidoqoftë, është për tu përshëndetur ky hap i qeverisë, që përpiqet të marrë parasysh kategori të ndryshme të shoqërisë sonë, që shumica e tyre i takojnë shtetasve me nevojë.
Ky 100-eurosh, si mbështetje e njëhershme në formë injeksioni, nuk e zgjidh problemin. Disa, veprimin e qeverisë po e cilësojnë si lëmoshë. Kjo edhe mund të konsiderohet ashtu dhe nuk besoj se dikush mund të jetë adhurues i “lëmoshës”. Shoqëria jonë në Kosovë ka nevojë për zgjidhje afatgjate pa zvarritje. Kjo është detyrë ekskluzive e Komisionit parlamentar për punë, shëndetësi e mirëqenie sociale, në të cilin komision janë të përfaqësuara të gjitha subjektet aktuale të Republikës së Kosovës. Për mendimin tim, dhe jo vetëm timin, në Kosovë mungon një sistem i sigurisë shoqërore dhe të gjithë përgjegjësit e legjislativit dhe ekzekutivit duhet sa më parë t’i përveshen punës konkrete për krijimin e themeleve të një sistemi të tillë, ku gjithsesi duhet përfshirë dhe marrë në konsideratë modelet e shoqërive me një sistem të qëndrueshëm e të avancuar të sigurisë sociale.
Por, t’i kthehemi edhe njëherë sindikatave: Nëse ndërlidhem edhe njëherë jo vetëm me krizat e fundit, por edhe ato të dy-tri dekadave të fundit, mund të them se sjellja e sindikatave, para së gjithash të sektorit të shëndetësisë e arsimit të Kosovës, nuk ka qenë aspak konstruktive, pasi që të gjithë e dimë gjendjen e mjerë të shëndetësisë dhe arsimit në Kosovë. (Shih për këtë çështje një trajtim aktual si në vijim:
Ajo që ne mendojmë se duhet gjithsesi të ndodhë, është formulimi i një projekti reformues sindikal me qëllime të qarta, si: tejkalimi i copëzimit sindikal, organizimi ndër-profesional dhe ndër-sektorial, ankorimi nëpër regjione, organizimi i shkretëtirave sindikale, rritja e aftësisë mobilizuese, pavarësia politike nga pushtetarët, përforcimi i bashkëpunimit sindikalist në përgjithësi si dhe kooperimi me faktorë tjerë nga jeta publike e politike.