Konfliktet familjare dyshohet se çuan në vrasjen e Anton Prelës, dje në lokalin Coyote Lounge Bar, në Klinë, ku ai u qëllua me armë zjarri nga dhëndëri i tij. I dyshuari Tush Frroku, i cili po ashtu e kishte dhëndër Prelës, pasi ishin të martuar me motrat e njëri-tjetrit, tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Sinjali ka raportuar mbrëmë ekskluzivisht për këtë rast, ndërkaq tash iu sjellë detajet e arratisjes së Frrokut, emër i njohur për organet e rendit.
Gjithçka ndodhi pak para orës 17:00, kur në këtë lokal u dëgjuan të shtënat me armë. Ishte Frroku, ai që dyshohet se qëlloi në drejtim të Prelës, duke e lënë të plagosur dhe më pas iku me vrap nga vendi i ngjarjes, me qëllim arratisjen.
Teksa Policia u aktivizua për ta kapur, Frroku po dyshohet se ka kryer një vepër tjetër. Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, ai ka grabitur një veturë taxie në mes të rrugës, duke e kërcënuar shoferin dhe me të njëjtin automjet është arratisur.
Por siç duket, ai ka bërë një plan tjetër që të humb gjurmët. Sipas informacioneve të para, veturën e grabitur, pas bastisjeve, Policia e ka gjetur në shtëpinë e tij, ku i dyshuari e kishte lënë dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, ku kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa kërkimet për Frrokun po vazhdojnë.
Për ta gjetur atë, Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve, me ç’rast ka publikuar fotografinë e tij, duke kërkuar që të bashkëpunojnë me Policinë për çdo informacion rreth vendndodhjes së tij.