Si pritet të rrjedhë seanca konstituive e Kuvendit, në mungesë të marrëveshjes VV-LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje para seancës konstituive të Kuvendit, e cila është thirrur për të enjten, me 26 dhjetor.

Mbështetur në këtë fakt, pritet që seanca e parë e Legjislaturës së shtatë të mos ketë rrjedhë normale, pasi LV-ja si partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit, e të cilës me Kushtetutë i takon ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ka pak gjasa që ta bëj këtë gjë.

Si rrjedhojë, kryesuesi i seancës parashihet të jep pauzë derisa LV-ja të dalë me propozim. Kjo mund të zgjasë me orë, ditë, javë apo muaj, pasi nuk ka kurrfarë kufizimi në kohë.

Pa u zgjedhur kryetari, nuk mund të zgjidhen nënkryetarët, e pa zgjedhjen e Kryesisë së re të Kuvendit, nuk mund të konsiderohet se është konstituar legjislatura e re.

Kështu të paktën thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë.

“…Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1), të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë aktgjykim”, thuhet në këtë aktgjykim të vitit 2014, atëherë kur edhe ishte kontestuar zgjedhja e Isa Mustafës kryetar i Kuvendit.

Në një rrethanë kur seanca konstituive është e papërfunduar, as presidenti nuk pritet ta thërras partinë që ka dalur e para në zgjedhje për ta dhënë propozimin për kryeministër të ri.

Por, ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në komentarin e tij për Kushtetutën i jep të drejtën presidentit që ta mandatoj kandidatin për kryeministër, posa të jenë betuar deputetët e legjislaturës së re, shkruan AktivPress.

“Zgjedhjet parlamentare për Kuvend konsiderohen të përfunduara, apo të certifikuara, kur ato të jenë certifikuar nga organi kushtetues përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, pas përfundimit të cilitdo proces gjyqësor të rregullt dhe eventualisht pranë Gjykatës Kushtetuese mbi rregullsinë zgjedhore, dhe pasi që të jenë shpërndarë dhe pranuar mandatet e deputetëve (duke përfshirë momentin e betimit të tyre). Kur ky moment kohor të ketë arritur, presidenti i republikës, sipas detyrimit të Nenit 95.1, obligohet që të propozojë kandidatin për kryeministër”, thuhet në komentar.

Pavarësisht këtij interpretimi, është aktgjykimi ai që merret parasysh.

Duke qenë kështu, pa një Kuvend të konstituar, vendi futet në krizë instiucionale, e cila mund të shpije në bllokadë të tërësishme financiare të shtetit pas dy mujave të parë të vitit të ardhshëm.

Veç tjerash, pa një Kuvend të konstituar nuk mund të shkohet as në zgjedhje të reja.