Pak kohë para se të bien temperaturat në Kosovë dhe qytetarët të jenë të obliguar t’i ngrohin shtëpitë dhe banesat e tyre, Ministria e Ekonomisë ka prezantuar një plan për mbështetjen financiare të qytetarëve për blerjen pajisjeve për ngrohje që shpenzojnë më pak energji elektrike.
Janë disa lloje të pajisjeve që Qeveria do t’i subvencionojë përfshirë këtu: kaldajat me biomasë, pompat termike, kondicionerët efiçientë dhe stufat individuale efiçente me biomasë.
Sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm.
Aplikimi në “thirrjen për mbështetje të qytetarëve në efiçiencë të energjisë” bëhet përmes platformës “ekosova”, në seksionin “Grante dhe Subvencione”.
Në total, Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për këtë thirrje. Me këto mjete synohet që të mbështesin 100.000 familje në blerjen e pajisjeve që ulin për gati 70 për qind konsumin e energjisë elektrike për ngrohje.
Si bëhet aplikimi dhe cilat janë kriteret teknike?
Të drejtë aplikimi për mbështetje në blerjen e pompës termike kanë të gjithë qytetarët që ngrohin shtëpitë e tyre me energji elektrike.
Personi që aplikon duhet të dëshmojë se të paktën në njërin prej muajve në mes të periudhës dhjetor 2021 – shkurt 2022 ka shpenzuar mbi 800 kilovat energji elektrike.
Nëse qytetari ka kursyer energjinë elektrike dhe nuk ka tejkaluar këtë shifër, atëherë sistemi ia refuzon aplikimin.
Një person që ka shtëpi të kyçur në ngrohtoren e qytetit apo në ngrohje kolektive, po ashtu nuk mund të aplikojë. Shtëpia duhet të jetë e izoluar, të ketë dyer dhe dritare të plastikës apo aluminit si dhe duhet ta ketë të instaluar sistemin e ngrohjes qendrore.
Qytetari duhet të kujdeset që pompa termike që blen të ketë shkallë të lartë të efiçiencës, minimum duhet të jetë “A++”.
Pajisjet që janë të shënuara me simbolet “A++” hyjnë në kategorinë e pajisjeve që konsumojnë më pak energji për të prodhuar nxehtësi. Koeficienti i performancës së pompës termike duhet të jetë 4.2 ose më i lartë, ndërkohë që koeficienti i performancës sezonale kërkohet të jetë 3.2 ose më i lartë.
Për pompa termike, shteti ndihmon me 30 për qind të vlerës që investohet, por jo më shumë se 2.500 euro. Mesatarisht, një pompë e mirë termike në Kosovë kushton prej 5.000 deri në 7.000 euro.
Subvencionimi për kondicionerë, 40 për qind
Qytetarët që ngrohin shtëpitë dhe banesat me energji elektrike dhe që kanë shpenzuar më shumë se 800 kilovat në periudhën 30 dhjetor 2021 – shkurt 2022, mund të aplikojnë për subvencionim në blerjen e një kondicioneri. Banesa apo shtëpia, edhe në këtë rast duhet të jetë e izoluar dhe të ketë dyer dhe dritare efiçiente. Po ashtu, nuk duhet të jetë e lidhur me ngrohtoret e qytetit apo me ngrohje kolektive.
Kondicioneri që blihet duhet të jetë efecient minimum “A++”. Koeficienti i performancës së pompës termike ajër-ajër duhet të jetë 4.0 ose më i lartë.
Vlera e ndihmës nga Qeveria e Kosovës për kondicionerë do të jetë 40 për qind e vlerës së investimit, por jo më e lartë se 400 euro.
Çmimi i këtij lloji të kondicionerëve dallon nga prodhuesi në prodhues, por momentalisht në tregun e Kosovës, pajisje të tilla efiçiente fillojnë nga 400 deri në rreth 2.000 euro.
Financimi për kaldajat me dru, pelet dhe briket
Për këtë kategori nuk kërkohet që shtëpitë të jenë të izoluara apo të kenë dyer dhe dritare efiçiente.
Megjithatë vlen kriteri i shpenzimit të më shumë se 800 kilovatëve të paktën gjatë një muaji në periudhën 30 dhjetor 2021 – shkurt 2022.
Qytetarët që aplikojnë për të blerë një kaldajë të tillë, nëse kualifikohen, përfitojnë 70 për qind të vlerës që kanë investuar në blerjen e pajisjes, por nëse çmimi është shumë i lartë, atëherë shteti mbulon maksimum 1.200 euro.
Mund të aplikohet edhe për stufa
Për këtë lloj mbështetje janë kriteret më të lehta. Nëse aplikojnë qytetarët që janë përfitues të skemave sociale, atyre iu financohet 90 për qind e vlerës së stufës, por jo më shumë se 560 euro. Ndërkaq, ata që nuk janë pjesë e skemave sociale përfitojnë 70 për qind të çmimit të blerjes së pajisjes, por jo më shumë se 435 euro.
Çfarë përfshin faza e dytë dhe si përfitohen mjetet financiare?
Qytetarët mund të aplikojnë për fazën e parë të subvencionimit deri më 20 tetor apo derisa të shpenzohen 6 milionë eurot e dedikuara për këtë thirrje.
Nëse qytetari i ka plotësuar kriteret për ndonjërën nga pajisjet dhe është kualifikuar për fazën e dytë, ai ka në dispozicion 21 ditë për të blerë pajisjen, për instaluar atë dhe për të aplikuar në fazën e dytë.
Në fazën e dytë kërkohet: fatura e rregullt apo kuponi fiskal i blerjes së pajisjes, vërtetimi i xhirollogarisë bankare i lëshuar nga banka, fotografia e pajisjes së instaluar, fotografia e numrit serik të pajisjes, fotografia e etiketës së performancës së pajisjes.
Ndërkaq, për qytetarët që janë përfitues të skemës sociale dhe që kanë aplikuar për përfitim të subvencionit prej 90 për qind për stufën individuale me biomasë, kërkohet të ngarkohet një dëshmi që vërteton mbështetjen e skemës sociale.
Në shpallje bëhet e ditur se aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin “kush aplikon i pari, shërbehet i pari”.
Por, e gjithë kjo nuk garanton se qytetari që ka investuar do t’i rimbursohen paratë, pasi vendim final do ta marrë një komision i Ministrisë së Ekonomisë.
Nëse komisionin pranon aplikacionin, nënshkruhet Marrëveshja e subvencionimit me Ministrinë e Ekonomisë dhe hapi i fundit është transferimi i mjeteve nga Qeveria në llogarinë e përfituesit.
Si në shumicën e vendeve të rajonit dhe Evropës, edhe në Kosovë është paralajmëruar dimër i vështirë për shkak të krizës energjetike.
Ekspertët dhe zyrtarët qeveritarë janë duke bërë thirrje vazhdimisht për kursim maksimal të energjisë elektrike. Në veçanti është duke u kërkuar që qytetarët të gjejnë forma alternative për ngrohje dhe të largohen nga energjia elektrike. Ndryshe, thonë ata, reduktimet e rrymës do të jenë të pashmangshme.
Efektet e para të krizës energjetike Kosova i përjetoi në verë, kur për disa ditë rresht pati reduktime të rrymës.