Një vit më parë në objektin e Shoqatës “Caritas Umbria” në Leskoc të Klinës ishte regjistruar një nga dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë.
E infektuar ishte një 20 vjeçare me shtetësi italiane.
Fqinjët, që janë në vetëm dy shtëpi, nuk dëshiruan të komentojnë këtë çështje pasi sipas tyre nuk ishin të rrezikuar nga e gjitha kjo.
Informacionet që klinasit kishin për një virus të tillë ishin të pakta.
Qytetarë të Klinës, një vit pas kësaj ngjarje, kanë mendime të ndryshme për atë se çka përjetuan.
Klan Kosova gjatë të shtunës ka tentuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, por i njëjti nuk u përgjigj në telefonatat e bëra.
Një ditë më parë, në faqen zyrtare të kësaj komune, Elezaj i ka falënderuar mjekët, infermierët dhe të gjithë të angazhuarit për punën e madhe që e kanë bërë gjatë këtij viti.
Në këtë qytet, pas 365 ditëve, si pasojë e këtij virusi fatkeqësisht ndërruan jetë 46 qytetarë. Në total janë regjistruar 792 raste pozitive e ku 81 nga ta janë ende raste aktive me COVID-19.