Të hënën, “The Local” publikoi një artikull në lidhje me një deputet zviceran, i cili po përpiqet të ndalojë shtetasit e dyfishtë të kandidojnë për parlament, duke pretenduar se ata “nuk përfaqësojnë interesat më të mira të Zvicrës”.
Një deputete, Yvonne Feri, e cila mban një pasaportë zvicerane dhe një italiane, u përgjigj se parlamenti “është një reflektim i Zvicrës, ku gati 25 për qind e popullsisë ka rrënjë të huaja”.
E para: Çfarë është shtetësia e dyfishtë?
Kur të huajt marrin një nënshtetësi të vendit të tyre të qëndrimit, ndërsa mbajnë ende shtetësinë e vendit të tyre të origjinës, ata bëhen të njohur si ‘shtetas të dyfishtë’.
Të dy vendet i konsiderojnë këta njerëz si shtetas të tyre dhe asnjëri nuk i konsideron ata si të huaj.
Zyra Federale për Statistika (BFS) thotë se për qëllime statistikore, “shtetasit e dyfishtë konsiderohen si zviceranë”.
Sa shtetas të dyfishtë ka në Zvicër?
Shifrat e fundit të BFS-së janë nga 2018, por situata nuk ka ndryshuar ndjeshëm që nga ajo kohë.
Njerëzit e moshës 15 vjeç ose më shumë me shtetësi të dyfishtë përfaqësojnë 18 për qind të popullsisë së përhershme të Zvicrës – 967,000 njerëz në total.
Shumica vijnë nga vendet fqinje: 24 për qind nga Italia, 12 për qind nga Franca dhe 9 për qind nga Gjermania, përcjell tutje albinfo.ch.
Si e morën shtetësinë zvicerane këta njerëz?
Sipas BFS, 65 për qind morën shtetësinë zvicerane përmes natyralizimit, ndërsa 35 për qind e fituan atë në lindje.
“Kjo situatë është veçanërisht e shënuar në mesin e kosovarëve, serbëve dhe maqedonasve të Veriut me shtetësi të dyfishtë”, shpjegojnë në BFS.
“Më shumë se 90 për qind e njerëzve brenda këtyre popullatave morën nënshtetësinë zvicerane përmes natyralizimit. Në të kundërt, për “dyshtetasit” francezë, italianë ose britanikë, përqindjet e individëve që morën shtetësinë zvicerane në lindje dhe të atyre që morën shtetësinë e dyfishtë përmes natyralizimit janë më të ngjashme. Dyshtetasit zvicerano-francezë janë të vetmit midis të cilëve më shumë individë morën shtetësinë zvicerane në lindje sesa përmes natyralizimit – 58 për qind krahasuar me 42 për qind”.
Cili është përparësia e shtetësisë së dyfishtë?
Përfitimi më i dukshëm është aftësia për të jetuar dhe votuar në të dy vendet, pa pasur nevojë të heqësh dorë nga asnjë e drejtë në asnjërën.
Përjashtimi i vetëm mund të jenë shtetasit amerikanë, një numër i të cilëve po heqin dorë nga pasaportat e tyre amerikane pasi u natyralizuan në Zvicër. Ata ndërmarrin këtë hap drastik për të shmangur pagimin e taksave në Shtetet e Bashkuara.
SHBA është i vetmi vend i industrializuar në botë që takson qytetarët e saj jashtë shtetit. Kjo praktikë u ngarkon atyre një barrë të dyfishtë financiare që të paguajnë taksa në vendin e tyre të banimit, si dhe në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është arsyeja pse shumë amerikanë që kanë shtetësi të dyfishtë zgjedhin të heqin dorë nga pasaportat e tyre amerikane.