Si do të duket Kosova në vitin 2030 sipas programeve të partive politike?
Më 14 shkurt 2021, kur Vetëvendosje fitoi zgjedhjet dhe mori pushtetin, viti 2030 mund të dukej ende i largët.
Fokusi i qeverisë fillimisht ishte i orientuar kryesisht drejt adresimit të sfidave nga e kaluara.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, më 2021 kishte shprehur qëndrimin e saj për qeverisjen e mëparshme, duke thënë: “20 vjet e kanë vjedh dhe e kanë mjelë këtë shtet e po lypin nga Qeveria Kurti për 9 muaj me e ngrit në këmbë.”
Sot, me zgjedhjet parlamentare të caktuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm, partitë politike janë në pritje të nisjes së fushatës për të prezantuar platformat dhe premtimet e tyre për të ardhmen.
Deri tani, programet zgjedhore ende nuk janë bërë të qarta për publikun, megjithëse ka ende kohë për t’i publikuar.
Një nga programet e para që është paraqitur publikisht është ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i titulluar “Rruga e Re”.
Ky dokument strategjik përmban 100 zotime dhe fokusohet në transformimin e Kosovës deri në vitin 2030.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar rëndësinë e përqendrimit në të ardhmen: “Nuk duhet të flasim për të kaluarën sepse nuk e ndryshojmë dot, nuk duhet të flasim për 2013, por për 2030,” është shprehur ai gjatë një interviste në KTV.
Programi “Rruga e Re” synon të sjellë reforma të thella në fusha kyçe si ekonomia, arsimi dhe shëndetësia.
LDK premton rritjen e standardit të jetesës për të gjithë qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Platforma e LDK-së parasheh një Kosovë të transformuar ekonomikisht, ku rritja e investimeve dhe inovacioni teknologjik do të jenë motorët kryesorë të zhvillimit.
LDK-ja parashikon krijimin e 50,000 vendeve të reja të punës në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit deri në vitin 2030.
Përveç kësaj, LDK synon një Kosovë të lidhur me rajonin dhe Evropën, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe sistemet e energjisë së pastër.
“Rruga e Re” e LDK-së përfaqëson një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës, duke ofruar plane konkrete për zhvillim dhe përparim deri në dekadën e ardhshme.