Shumë zyrtarë policorë në pritje të vizave për t’u larguar nga Kosova

Kryetari i Sindikatës se Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë, ka kërkuar që policët e Kosovës të kenë trajtim më të dinjitetshëm.

Zeqiri përmendi mungesën e ngritur e sigurimeve shëndetësore si shqetësim të përhershëm të policisë së Kosovë, derisa tha se ka pasur shumë policë që ndër vite janë larguar nga ky institucion.

Sipas tij, nga themelimi i Policisë së Kosovës, 1.108 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion, shkruan Reporteri.net.Ai konfirmoi se ky trend është duke vazhduar ende, dhe se shumë zyrtarë policorë janë në pritje të vizave për t’u larguar nga Kosova.

“Mund t’i humbasim profesionistet për të cilët është investuar me vite të tëra për me arrite atë profesionalizëm. Ka shumë zyrtarë policorë që jon tu pritë për viza kanë apliku për viza”, u shpreh Zeqiri në Komision.

Sindikata e Policisë së Kosovës po e konsideron të papranueshëm Projektligjin për pagat dhe koeficientin e vendosur.