Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) pritet të përballet me fluks të madh të pacientëve gjatë muajve të verës, periudhë kjo kur një pjesë e madhe e stafit mjekësor do të shkojë në pushime verore. Shumë shërbime mjekësore nuk do të mundë t’u ofrohen pacientëve sidomos gjatë muajve korrik – gusht në mungesë të mjekëve dhe të infermierëve të nevojshëm, përderisa institucionet kompetente nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete për një situatë të tillë.Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, pranon për “Zërin” se mungesa e infermierëve dhe fillimi i sezonit veror do ta vështirësojë ofrimin e shërbimeve cilësore në këtë klinikë. Sipas tij, në klinikë kanë nevojë për punësimin e 15 infermierëve.
“Ende nuk kemi rekrutim të infermierëve dhe ka mungesë të tyre në Klinikën e Neonatologjisë. Pushimet verore e vështirësojnë edhe më shumë ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore në klinikë. Në bazë të vlerësimit që kemi bërë dhe në bazë të nevojave sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Shërbimin Intenziv të Neonatologjisë duhet të jenë një infermier për dy foshnja, andaj ne e kemi paraqitur edhe kërkesën për 15 infermierë”, ka thënë ai.
Gojnovci ka thënë se si klinika në vazhdimësi ka përsëritur kërkesat për rekrutimin e infermierëve të rinj, por që ende nuk kanë marrë përgjigje prej institucioneve relevante.