Shtyhet vendosja e Monumentit të Skënderbeut në Prizren, shkak COVID-19

Shoqata “Trojet e Arbrit” dhe Drejtoria e Administratës e Komunës së Prizrenit, njoftojnë se vendosja e Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që ka qenë e planifikuar më, 6 maj 2020 në Prizren do të shtyhet, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Në komunikatë, thuhet se shkaku i shtyrjes është virusi Corona, i cili e ka bllokuar jetën shoqërore jo vetëm në Prizren, por në mbarë globin.

“Për datën e vendosjes së Monumentit do t´iu njoftojmë me kohë. Kjo do të bëhet karshi rrethanave dhe kohës së kalimit të epidemisë si dhe mundësisë së organizimit të tubimeve publike. Meqenëse ky është një eveniment i veçantë kemi dëshirë që ta bëjmë një organizim të madh ku do të marrin pjesë përveç shumë qytetarëve prizrenas edhe shumë shqiptarë anë e kënd trojeve etnike shqiptare, si dhe mërgimtarët shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe që janë financuesit kryesorë të këtij projekti kombëtar”, thuhet në komunikatë.

Me tej, thuhet se për datën e re të vendosjes së monumentit do t´iu njoftojmë me kohë në mënyrë që ta keni mundësinë e pjesëmarrjes.