Nuk ka arritur të mbahet seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i cili nga Prokuroria Themelore po akuzohet për korrupsion me rastin e punësimit të vajzës së tij si mjeke në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Kujtim Kërveshi, raporton “Betimi për Drejtësi
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova bëri të ditur se avokati Kërveshi me parashtresë e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në gjykatë pasi është i zënë në një seancë tjetër.
Tutje Husaj-Rugova, deklaroi se mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kërveshi nuk ka paraqit dëshmi që ka pranuar thirrjen me herët për seancën në Gjykatën e Prizrenit.
“Avokati Kërveshi e ka njoftuar Gjykatën se në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë ka një seancë tjetër, e cila është caktuar të mbahet në Gjykatën Themelore në Prizren, e cila është në fazën e shqyrtimit kryesor dhe për këtë kanë pranuar thirrjen me herët, andaj në pamundësi që të marrë pjesë në këtë seancë, i njëjti ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet.”, ka thënë gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.
I pandehuri Zenun Elezaj, ka thënë se nuk është i gatshëm të lëshohet në seancën e rigjykimit pa prezencën e mbrojtësit të tij.
Ndërkaq, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar që për seancën e radhës mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kërveshi të prezanton një dëshmi dhe arsyet për shtyrje të seancës.
Pas këtyre deklarimeve, gjykata ka marrë vendim që seanca radhës të mbahet me 1 tetor, nga ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me 28 prill 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, kolegji i gjykatësve të Apelit, i kryesuar nga Tonka Berisha, kanë konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte rezultat i shkeljeve procedurale dhe mungesë e vërtetimit të plotë gjendjes faktike, për çka rastin e kanë kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.
Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.
Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.