Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit të saj me përfaqësuesit e partive opozitare në vend, ku është diskutuar për zgjedhjet në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Presidentja Osmani ka njoftuar se është marrë vendim që zgjedhjet lokale të shtyhen për në muajin prill, teksa data e saktë do bëhet e ditur sonte ose nesër.
“Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe me konsensus të plotë, erdhëm në konkludim që të shtyhen për në muajin prill, data e saktë do të bëhet e ditur sot ose nesër. Kishim dakordancë të plotë për muajin prill 2023”, tha ajo.
Tutje Osmani tha se të gjithë përfaqësuesit e partive politike kanë treguar përgjegjshmëri të lartë në raport me atë që ajo e quan si më e shenjta, jetën e qytetarëve.
“Të gjithë përfaqësuesit e partive politike treguan përgjegjshmëri të lartë në raport me atë që është më e shenjta, jetën e qytetarëve, e cila duhet të sigurohet e mbrohet me çdo kusht, përkundur faktit që Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme, aktivitetet e bandave kriminale në veri kanë arritur të frikësojnë qytetarët që të mos ndihen të lirë që të marrin pjesë në zgjedhje prandaj edhe pjesëmarrja do të ishte jashtëzakonisht e ulët për shkak të frikës nga tensionet dhe sulmet”, shtoi presidentja.
Sipas Osmanit, ky vendim u mor në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja sa më e madhe, siguria për qytetarët dhe të organizohen zgjedhje të lira e demokratike.
Lidhur me situatën e tensionuar në veri të vendit, ku ditët e fundit janë shënuar disa incidente pa pasoja në njerëz, Osmani tha se bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik, Aleksandar Vuçiq, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
“Si gjithnjë, në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik, Vuçiq, nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, mirëpo në këtë sfidë sikur në çdo sfidë tjetër deri më sot, do të dalim fitimtarë”, përfundoi presidentja Osmani.
Pas dorëheqjes së kryetarëve të Komunave veriore, zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor. Pos kryetarëve të Komunave, dorëheqje nga institucionet e Republikës së Kosovës kanë dhënë të gjithë serbët, pasi Qeveria vendosi t’i ndëshkojë shoferët që lëvizin me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Shtyrjen e zgjedhjeve e kanë kërkuar edhe partnerët ndërkombëtarë, pas incidenteve të vazhdueshme që këtë javë ndodhën në veri të vendit, ku ndër të tjera mbeti i plagosur edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.