Me rritjen e pandalshme të çmimeve, çdo familje shqiptare duhet të shpenzojë më shumë nga të ardhurat e veta (që nuk po rriten aq shpejt sa çmimet, apo nuk po rriten fare), për të blerë të njëjtat produkte.
Sipas institutit kombëtar të statistikave INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, ishte 7.4 për qind në qershor, niveli më i lartë në 20 vjet.
Një vit më parë, në të njëjtën periudhë, rritja e çmimeve ishte minimale prej 1.6 për qind.
Përveç argëtimit dhe kulturës, çdo produkte dhe shërbim ishte më i shtrenjtë këtë qershor. Buxheti më i rënduar është për t’u ushqyer për dy arsye.
-Së pari, për shkak të peshës së lartë të shpenzimeve për ushqime. Rreth 42 për qind e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Europë, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.
Pas Shqipërisë më e lartë përqindja e shpenzimeve për ushqime e pije joalkoolike është në Maqedoninë e Veriut, me 30.6%, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (29.5 për qind), Mali i Zi (24.5 për qind), Serbia (23.6 për qind)- të dhënat për Kosovën mungojnë. Për Bashkimin Europian-27, kjo peshë është 13 për qind.
Si rrjedhojë, familjet shqiptare duhet të heqin më shumë para për tu ushqyer se të tjerat në rajon e Europë, duke u mbetur më pak për nevoja të tjera, jo të domosdoshme. Si rrjedhojë, një rritje e çmimeve të ushqimeve rëndon më shumë buxhetet e familjeve shqiptare.
-Së dyti, ushqimet dhe pije joalkoolike kanë shënuar rritjen e dytë më të lartë, me 12.6 për qind pas transportit (26.9 për qind).
Por, për shkak të peshës më të lartë që zënë në buxhet, në raport me transportin (6.2 për qind), shtrenjtimi i ushqimeve rëndon më shumë. Rritjen më të lartë sipas INSTAT e kanë shënuar “Vajra dhe yndyrna”, me 30.3 për qind; “Bukë dhe drithëra”, me 19.1 për qind; “Qumësht, djathë dhe vezë”, me 18.5 për qind; “Zarzavate përfshirë patatet”, me 9 për qind.
30 milionë euro më shumë vetëm për ushqime
Një familje mesatare me 3.6 persona shpenzonte në muaj rreth 84 mijë lekë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, të INSTAT, të dhënat më të fundit të së cilës i referohen vitit 2020.
Rreth 42% e kësaj shume, apo rreth 35 mijë lekë, një familjeje i duhet për të plotësuar nevojat bazike për ushqim. Me shtrenjtimin prej 12.6%, për të njëjtën sasi ushqimesh, një familje duhet të shpenzojë gati 50 mijë lekë, apo gati 5 mijë lekë më shumë.
Për 769 mijë familje që ka në vend, shpenzimi shtesë për ushqime është rreth 37-38 miliardë lekë, vetëm për muajin qershor, apo rreth 30 milionë euro, që kanë dalë nga buxhetet familjare për të plotësuar këtë nevojë të domosdoshme.
Të ardhurat ndërkohë nuk janë rritur me të njëjtat ritme si çmimet. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2022 (e dhëna e fundit e disponueshme), është 59,242 lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga është rritur me 5.8 % për qind.
Banka Botërore ka paralajmëruar se çmimet e larta do të përmbysin arritjet në uljen e varfërisë.
Banka ka sinjalizuar se inflacioni në rritje mund të reduktojë ndjeshëm rritjen e të ardhurave reale në mesin e familjeve të varfra dhe të cenueshme dhe do të frenojë zbutjen e varfërisë. Përvoja të kaluara tregojnë se rritja ekonomike në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri nuk është përkthyer në ulje të varfërisë.