Telashet në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes partnerëve shpeshherë përfundojnë edhe me kanosje serioze e dhunë fizike, për çka kërkohet ndihmë nga organet e rendit.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje nga Shtimja, dje pasdite, ku një çift janë përfshirë në një konfrontim verbal, që dyshohet se eskaloi edhe në sulm nga bashkëshorti.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjithçka dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshje mes tyre derisa po ktheheshin në shtëpinë e tyre, kur viktima, gruaja e të dyshuarit i kërkoi atij ta dërgojë në qendrën tregtare “Prishtina Mall”.
Sherri dyshohet se nisi pas një debati, me ç’rast gruaja raportoi në Polici se burri ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj si pasojë e konfliktit verbal që kanë pasur.
Lidhur me rastin, është intervistuar edhe i dyshuari, i cili nuk e ka mohuar se e ka rrahur bashkëshorten, teksa ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij, për veprën penale ‘Dhunë në familje’ dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Gazeta sinjali