Në Kuvendin e Kosovës sot, përveç tjerash, pritet të votohet edhe për Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Këtë ligj kishte propozuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa mori mbështetjen edhe të Qeverisë.
Por kundër këtij ligji tash e disa ditë ka dalë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Më 29 qershor në profilin e tij zyrtar Kosnett kishte thënë se Ligji për Vlerat e Luftës së UÇK-së është një mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Diplomati amerikan kishte pontecuar se një ligj i tillë e kriminalizon lirinë e shprehjes dhe frikëson qytetarët.
“Ligji i propozuar për vlerat e UÇK-së është formë e gabuar për të treguar respekt për UÇK-në. Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, i frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19?”, kishte shkruar Kosnett.
The proposed KLA Values Law is the wrong way to show respect for KLA. It criminalizes free speech, intimidates citizens, and is costly. It distracts from practical efforts to understand and teach Kosovo’s history. When will parties refocus energies on the economy and COVID-19? pic.twitter.com/SgXKJvJQ9X
— Ambassador Philip S. Kosnett (@USAmbKosovo) July 29, 2020
Për një Ligj të tillë, Konsett ka reaguar edhe sot përmes një shkrimi autorial të publikuar në Koha Ditore.
“Në përpjekje për të nderuar UÇK-në, mos e minoni trashëgiminë e saj të lirisë”, është titulli i shkrimit të Kosnett në të cilin ambasadori amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë kundër UÇK-së, por se një Ligj i tillë i propozuar minon lirinë e shprehjes dhe përpjekjet për drejtësi.
“SHBA nuk është “kundër UÇK-së”. Por Ligji i propozuar për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës minon lirinë e shprehjes dhe gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato”, ka shkruar Kosnett. /