Klina po qëndron në karantinë tash e tri javë, kur edhe u konfirmuan dy rastet e para me virusin COVID-19 në Kosovë. Një 21-vjeçare nga Italia, kishte punuar në Klinë, e kjo bëri që ky qytet të izolohet. Por, edhe pas shërimit të saj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, nuk rekomandoi daljen e qytetit nga karantina. Megjithatë, mbrëmjen e së martës, u konfirmua edhe një rast me koronavirus nga Klina, e duket se masa e izolimit do të vazhdojë ende për klinasit, edhe pse e prekura me koronavirus nga kjo komunë, nuk jeton atje, shkruan Gazeta Express
Ishin dy rastet e para që u shënuan me virusin COVID-19 në Kosovë. Një banor i Vitisë dhe një shtetase italiane që kishte punuar në Klinë, ishin të parët që u konfirmuan me koronavirus.
Vitia e Klina u shpallën zonë në karantinë, nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Viti u konfirmuan edhe raste tjera, e në Klinë nuk pati raste të reja për tre javë, megjithatë qyteti vazhdoi të jetë në karantinë.
Mirëpo, mbrëmjen e së martës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës tregoi për 19 raste të reja me koronavirus në Kosovë, në mesin e të cilëve edhe një nga fshati Ujmir i Klinës.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka treguar për Gazetën Express se personi që u konfirmua me koronavirus nga Klina, është një infermiere e Klinikës Infektive të QKUK-së, e cila jeton në Prishtinë.
“Është konfirmuar rasti i parë në komunën tonë, është një qytetare e Klinës por që jeton në Prishtinë pasi punon në Klinikën Infektive të QKUK-së. Jemi duke i hulumtuar personat që mund të kenë pasur kontakt me të, pasi me gjasë ajo ka ardhur nga Prishtina në fshatin Ujmir”, ka deklaruar Elezaj.
Elezaj ka theksuar se testimit për koronavirus do t’i nënshtrohet bashkëshorti i gruas së prekur, e më pas edhe familjarët e tjerë.
“Është duke u punuar në mbledhjen e informatave se më kë ka pasur kontakt, por fillimisht do të testohet bashkëshorti i cili me gjasë ka lëvizur nga Prishtina në fshatin Ujmir pasi e ka nënën atje”, ka thënë Elezaj.
Ndërkohë, Elezaj ka treguar se shtetësja italiane e cila kishte punuar në Klinë dhe tashmë është shëruar, ka shkuar në vendlindjen e saj në Itali.
“Realisht qe 10 ditë apo më tepër është shëruar dhe ka shkuar në Itali shtetësja italiane. Megjithatë ne po qëndrojmë në karantinë. Tashmë kemi edhe një rast nga komuna jonë, por edhe pse nuk jeton këtu është përgjegjësi e madhe të kërkojmë të hiqet nga karantina qyteti jonë, sepse nuk po dihet nga mund të vije virusi”, ka thënë Elezaj.
E Klinën sot e ka vizituar edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti. Elezaj tha se ky ishte një takim informuas rreth masave që janë ndërmarrë deri më tani në komunën e Klinës.
“Ishte më shumë takim njoftues, i treguam masat që i kemi marrë, ata realisht në kuadër të kompetencave i kanë planet për ndihmë. Gjithashtu kërkuam që në pakon emergjente të futen edhe punëtorët e pastrimit, nga Qeveria na premtuan se do ta bëjnë këtë”, tha Elezaj.
Elezaj shtoi se masat mbrojtëse komuna e Klinës po i përballon vetë, e po ashtu edhe furnizimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare me materiale shpenzuese.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë deri më tani ka dërguar tri kontigjente me funizime për QKMF-të.
“Masat mbrojtëse po i përballojmë vetë, por edhe furnizimet për QKMF-të. Deri më tani kanë arritur tri kontigjente me materiale shpenzuese, por presim që të vijnë edhe tjera”, tha Elezaj.
Ndërkohë, numri i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 185, derisa janë shëruar 30 dhe kanë vdekur 5 persona./GazetaExpress