Prokurorët Special në Hagë paraditen e se mërkurës nisën intervistimin e ushtarakut shqiptar Adem Shehu i cili drejtoi formacionet ushtarake në UÇK.
Top Channel ka mësuar se komandant Shehu mbërriti në Hagë paraditen e së martës dhe dje në ora 11:00 nisi seanca e parë e intervistimit e cila pritet të vijojë edhe gjatë ditës së enjte.
Shehu mësohet se është duke u intervistuar si dëshmitar, por nuk bëhen publike detajet specifikuese çfarë dëshmie duan të përftojnë prokurorët dhe ndaj kujt duan ta përdorin.
Adem Shehu është shtetasi i parë shqiptar që intervistohet për llogari të hetimeve për krimet e supozuara të UÇK gjatë luftës.
Javën e shkuar se prokurorët special në Hagë, i kishin dërguar një fletëthirrje për tu intervistuar si person që ka dijeni, ish-Komandantit te Brigadës 153, të Zonës Operative të Llapit.
Gjatë luftës në Kosovë rreth 200 oficerë të ushtrisë shqiptare iu bashkuan luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Shehu është me origjinë nga Farka e Tiranës dhe shërbente si oficer i reparteve kundërajrore. Ai stërviti ata që vinin nga Kosova dhe nga vendet perëndimore. Grupet përbëheshin nga 25-30 veta. Banesa e tij, u shndërrua në një qendër stërvitore dhe më pas u largua drejt Kosovës dhe brenda një kohe të shkurtër u vendos në krye të brigadës 153 në zonën e Llapit.