Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në Kosovë. Persona të ndryshëm kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, të cilët më pas i zë sherri me të dyshuarit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Qubrel të Skenderajt, ku një grup i personave dyshohet se kanë sulmuar fizikisht tri roje të pyllit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga dëshmitë e viktimave, të cilët kanë pohuar se pesë nga shtatë të dyshuarit kanë qenë të armatosur dhe të njëjtit më pas i kanë sulmuar fizikisht ata duke u shkaktuar lëndime trupore.
Sipas tyre, të dyshuarit janë të njohur për vepra të tilla, por që nuk kanë informacione mbi identitetin e tyre.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ndërsa veprimet tjera do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.