Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së Dr. Ilir Tolaj, i cili ka akuzuar stafin shëndetësor se nuk bën trajtimin e duhur të pacientëve me Covid.
Në komunikatën për media, SHSKUK thotë se trajtimi i pacientëve me Covid nga profesionistët shëndetësorë po bëhet konform protokollit për trajtim të rasteve Covid të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe shoqatat profesionale mjekësore që kanë hartuar protokolle specifike për trajtim të rasteve të tilla.
“Akuzat vijnë nga një njeri që për vjet të tëra nuk është i kyçur në sistemin shëndetësorë në vend dhe nuk ofron shërbime për pacientët.
Ai akuzon mjekët, në vend se të mbështeste punën e tyre të mbingarkuar, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, në çdo moment të punës, madje disa nga mjekët kanë vdekur në shërbim të pacientëve”, thuhej tutje.
ShSKUK, siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për të gjithë pacientët që kanë nevojë për të marrë shërbime shëndetësore, duke respektuar protokollet që janë në fuqi.