Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar njoftoi sot se 880 pacientë po trajtohen në klinikat dhe spitalet rajonale të Kosovës, ku 33 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas njoftimit, 729 pacientë janë të konfirmuar me koronavirus, ndërkaq 151 të tjerë janë në pritje të rezultateve.
SHSKUK njofton po ashtu se 679 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 357 janë të shtrirë në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare dhe 523 të tjerë në spitalet rajonale.
Spitali i Prizrenit është më i ngarkuari dhe aktualisht aty po trajtohen 126 pacientë. Ndërkaq, sa i përket klinikave të QKUK-së, Klinika Infektive ka më së shumti pacientë, përkatësisht 117 pacientë.
Që prej rasteve të para me koronavirus, deri më 27 mars, Kosova ka regjistruar 87.067 raste me këtë virus. Prej tyre, 1.830 pacientë kanë humbur jetën, ndërkaq raste aktive janë 13.424.