Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”, ka vendosur që gjatë muajit korrik dhe gusht të pezullojë të gjitha operacionet elektive. Shefi i repartit të kirurgjisë Dr. Idriz Alija ka thënë se vendimi është marr me urdhër të ministrisë, por kjo deklaratë e tij është demantuar nga SHSKUK dhe vet drejtori i Spitalit
Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” ka marr vendim që të pezullojë programin elektiv nga data 8 korrik deri më datën 8 shtator. Shefi i repartit të kirurgjisë Dr. Idriz Alija, ka deklaruar se me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorisë së spitalit, operacionet e ftohta janë pezulluar deri në shtator.
“Me urdhër të drejtorisë dhe me vendimin që ka ardh nga ministria, nga data 8 e këtij muaji deri më datën 8 shtator me i ndal operacionet e ftohta siç njihen në popull hernia, ulicista. Kjo vlenë për krejt departamentin kirurgjik, kirurgji, urologji dhe ortopedi. Përjashtim bëjnë rastet urgjente për të cilat nuk ka ndalesë”, ka deklaruar Alija për tv syri.
Por në fakt ky pezullim i operacioneve po del të jetë vendim krye në vete i spitalit të Gjakovës pasi nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk e kanë në kompetencë të lëshojnë këso urdhëra apo vendime, ndërsa SHSKUK deklaron se janë në dijeni për pezullimin e operacioneve.
Drejtoria e SHSKUK nuk ka dhënë urdhër për ndërprerje të operacioneve, e as nuk është informuar nga drejtoria e spitalit të Gjakovës për një ndërprerje të tillë. Në QKUK dhe klinikat e saja po kryhen normalisht operacionet”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Shefin e repartit të kirurgjisë e ka demantuar edhe vet drejtori i Spitalit, Dr. Ahmet Asllani. Në fakt, ai ka konfirmuar se operacionet elektive janë pezulluar por kjo gjë është bërë me kërkesë të vet shefit të repartit Dr. Idriz Alija, e jo me ndonjë urdhër apo vendim të SHSKUK-së.
“Zakonisht çdo verë bëhet një vendim me kërkesë të bllokut operativ dhe anestezionit për shkak të reduktimit të stafit, jo për shkak të motit të nxehtë sepse në vende të nxehta punohet tërë vitin. Por për shkak të pushimeve puna elektive ndërpritet deri më 31 gusht. Rastet urgjente, lindjet, punohen të gjitha”, ka deklaruar Asllani.
“Vendimi është marr kërkesën e shefit të bllokut operativ dhe anestezionit, janë nënshkruar të gjithë. Nuk ka asnjë vendim nga ministria apo SHSKUK. Çdo vit kështu kemi vepruar, për t’ju dhënë prioritet rasteve urgjente”, ka deklaruar drejtori i Spitalit.