(Plotësuar) Kombëtarja e Shqipërisë ka barazuar në ndeshjen e dytë të Grupit B në Euro 2024. Pas disfatës kundër kampionit në fuqi, Italisë, 2:1, kuqezinjtë kanë arkëtuar një pikë në duel me Kroacinë, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 2:2.
Për dallim nga ndeshja në Dortmund kundër italianëve, në duelin e sotëm djemtë e Sylvinhos patën paraqitje shumë më të mirë dhe krijuan shumë raste të pastra shënimi.
Shifrat e ndeshjes i zhbllokoi Qazim Laçi, me golin e shënuar me kokë në minutën e 11-të pas harkimit të Jasir Asanit.
Raste shumë të mira më pas shpërdoruan Nedim Bajrami (15’), Kristian Asllani (34’) dhe Rey Manaj (45’). Me epërsinë e një goli kuqezinjtë shkuan në pushim. Në pjesën e dytë ashtu siç pritej kroatët u vërsulën në kërkim të golit të barazimit.
Pas presionit të lartë, kroatët arritën që brenda dy minutash të përmbysin shifrat me golat e Kramariç (74’) dhe Gjasulës (76’-autogol).
Mirëpo, Shqipëria nuk u dorëzua dhe Klaus Gjasula arriti ta përmirësojë gabimin e tij paraprak, duke vulosur shifrat përfundimtare të ndeshjes (2:2) në minutën e pestë të shtesës, me gjuajtje të saktë nga brendësia e zonës. Barazimi në këtë takim i lë të dyja skuadrat me shpresa për kualifikim tutje, por në ndeshjet e ardhshme do të kenë ballafaqime tejet të vështira.
Shqipëria do të përballet me Spanjën, derisa Kroacia me Italinë.
Shqipëria e mbyll në epërsi pjesën e parë ndaj Kroacisë
Shqipëria e ka mbyllur në epërsi (1:0) pjesën e parë të ndeshjes kundër Kroacisë, e cila po zhvillohet në Hamburg, në kuadër të Grupit B në Euro 2024.
Kuqezinjtë kanë shkëlqyer gjatë 45 minutave të parë. Ka qenë Qazim Laçi, i cili ka shënuar golin e epërsisë në minutën e 11-të. Ai e ka kthyer në gol me gjuajtje me kokë një harkim të shkëlqyer nga e djathta të Jasir Asanit, duke krijuar festë madhështore në tribuna. Deri në fund të pjesës së parë Shqipëria pati edhe tri raste të mira.
Fillimisht Nedim Bajrami në minutën e 15-të gjuajti në drejtim të Livakoviqit, por ai arriti ta grushtojë topin në këndore.
Më pas Kristian Asllani doli në rast të pastër shënimi, por gjuajti direkt në portierin kroat. Krejt në fund, Manaj humbi një mundësi të artë për të shënuar golin e dytë, ndërsa Kroacia u kundërpërgjigj menjëherë duke i afruar golit të barazimit.
Qazim Laçi shënon, Shqipëria në epërsi
Shqipëria ka kaluar në epërsi në përballje me Kroacinë.
Shqipëria ka kaluar në epërsi në përballje me Kroacinë. Ishte minuta e 11-të kur Qazim Laçi shënoi me gjuajtje me kokë, pas harkimit të shkëlqyeshëm të Jasir Asanit.