SHQIPËRI: Masat e reja, nuk kërkohet test antiCOVID-19

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë, nuk kanë asnjë kufizim  qoftë për test COVID-19 apo ndonjë dokument të veçantë.

Sipas njoftimit zyrtar ky vendim ka hyrë në fuqi nga data 1 qershor.

“Për të gjithë të interesuarit për të udhëtuar drejt Shqipërisë, njoftojmë se Shqipëria i ka hapur kufijtë në datën 1 qershor 2020”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim sqarohet se të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri, nuk do të ju aplikohet detyrimi i karantinimit 14 ditor përveç rasteve të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore.

“Për të gjithë individët që hyjnë në Shqipëri në rrugë tokësore: Nuk aplikohet detyrimi i karantinimit 14 ditor përveç rasteve të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore;

Në pikat kufitare nuk kërkohen dokumente specifikë, për të hyrë në territorin shqiptar;

Në rast hyrjeje në Shqipëri nga kufijtë tokësorë, informohuni mbi rregulloret e shteteve të tjera ku do kalohet gjatë udhëtimit, pasi ndryshojnë nga shteti në shtet.

Shtetasit që udhëtojnë në rrugë tokësore për në Shqipëri duhet të marrin informacion paraprak në Ambasadat e shteteve përmes të cilave do të kryejnë tranzit, për të qenë të qartë mbi rregullat e vendosura nga këto shtete në kuadër të pandemisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa, duke filluar nga 15 qershori i këtij viti grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona rritet duke lejuar 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të Institutit të Shëndetit Publik.

Po ashtu, duke filluar nga 1 korriku 2021 ora policore shtyhet në orën 24.00 – 06:00.

“Orari për muzikën nuk ndryshon, do mbetet ora 22:00. Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP. Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike, kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatoreve/ pjesëmarrësve, sipas protokolleve të Institutit të Shëndetit Publik”, thuhet tutje në njoftim./