Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Facebook ka njoftuar që është shumë i kënaqur që një profesioniste është bërë pjesë e partisë së tij.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë” – ka shkruar Abdixhiku.
Shqipe Pantina dy mandate ka qenë si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizatat si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX.