Që nga 19 korriku i vitit 2019, kur qeveria e kaluar mori titullin e qeverisë në largim, shpenzimet e realizuara vetëm për udhëtime, mëditje, dreka e darka dhe karburante, arrijnë vlerën në mbi 159 mijë euro.
Në këtë shumë hyjnë shpenzimet e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe të 11 ish-ministrave, nga gjithsej 21 sa kishte qeveria e kaluar.
Më 19 korrik, 2019, Ramush Haradinajka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Dorëheqja e tij pasoi ftesën që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku ishte ftuar për një intervistë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Radio Evropa e Lirë, më datë 14 janar 2020, duke shfrytëzuar Ligjin nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, ka kërkuar përgjigje nga të gjitha ministritë e qeverisë së kaluar për shpenzimet gjatë periudhës së qeverisë në dorëheqje.
Gjatë kësaj periudhe sa kishte cilësinë e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, për udhëtime, mëditje, bileta, akomodim e derivate ka shpenzuar mbi 13 mijë euro, kurse për dy ceremoni shtetërore janë shpenzuar 88 mijë euro.
Në dokumentet e siguruara nga REL, nuk ka shpjegime se për çfarë ceremonish bëhet fjalë. Në total i bie që kryeministri në largim, nga 19 korriku, 2019 deri më 20.01.2020, ka shpenzuar nga 101, 414 mijë euro.