Shpend Ahmetit i teprojnë 30 milionë euro, kritikohet për menaxhim të dobët të Kryeqytetit

30 milionë euro të investimeve kapitale i kanë tepruar Komunës së Prishtinës të udhëhequr nga Shpend Ahmeti. Këto mjete që nuk janë shpenzuar gjatë vitit 2019, do të barten në buxhetin e vitit 2020. E derisa shumë projekte të parapara të realizohen në vitin që lamë pas, as nuk janë filluar, Ahmeti po kritikohet për menaxhim të keq të kryeqytetit. Partitë opozitare në Prishtinë, Vetëvendosje dhe LDK po thonë se Ahmeti nuk po di si të menaxhojë me mjetet e komunës, e në anën tjetër nuk po i përmbush zotimet e dhëna, shkruan KlinaInfo

KlinaInfo

Nuk është viti i parë që xhepit të Komunës së Prishtinës i mbesin para nga viti paraprak.

Derisa përmbyllja e viti 2019 e gjeti kryeqytetin me shumë projekte të premtuara, por të parealizuara, Shpend Ahmetit po i teprojnë mjetet financiare të parapara për realizimin e tyre.

Parkingu Nëntokësor, rinovimi i Pallatit të Rinisë, Tregu i qytetit, Ndërrimi i flotës së autobusëve të kompanive private e ndërrimi i kioskave të kryeqytetit janë disa nga projektet e premtuara për vitin 2019, por asnjë prej tyre nuk ka nisur të realizohet.

Vonesat në prokurim, anulimi i tenderëve e planifikimi jo i mirë, duket se ishin arsyet e mosrealizimit të këtyre projekteve.

Kësisoj, Komunës së Prishtinës i tepruan 30 milionë euro nga buxheti i planifikimeve kapitale.

E këtë nuk po e shohin të arsyeshme asamblistët partive opozitare në asamblenë e Prishtinës.

Jeta Rafuna nga radhët e LDK’së, ka thënë se bartja e buxhetit të vitit 2019 vjen si rezultat i planifikimit jo të mirë nga ana e kryetarit të Prishtinës.

“Si pasojë e planifikimit të keq kemi edhe mosrealizim të buxhetit. Është dashur të ndërtohet rruga A, Kolektorët, shkolla të reja, ndërtim të çerdheve publike. Po ashtu për shkak të mosrealizimit të Planit të Mobilitetit kemi kaos në trafik. Ende përballemi  me qentë endacakë, parkingjet. Janë vetëm disa nga projektet e parealizuara e në anën tjetër ka bartje të buxhetit”, ka thënë Rafuna.

Bartja e buxhetit nga viti 2019 në vitin 2019, për Eman Rrahmanin e VV’së  është situatë më e keqe se vitet paraprake.

Ai ka thënë se në investime kapitale nuk është arritur të shpenzohet as bartja e buxhetit të vitit 2018, e që ishte 25 milionë euro.

Rrahmani ka treguar se nga 25 milionë euro të bartura nga viti 2018, janë shpenzuar vetëm 19 milionë euro, duke bërë kështu që 6 milionë të tjera të mbesin të pashpenzuara.

“Është edhe më shqetësues fakti se në tremujorin e fundit ka më shumë shpenzime të panevojshme dhe disa punë që e kanë pasur qëllim vetëm t’I shpenzojnë mjetet. Si p.sh. në disa rrugë që është dashur vetëm disa gropa të rregullohen, kanë shku e kanë largu komplet shtresën vetëm me i shpenzua mjetet”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka deklaruar se disa nga shpenzimet e bëra, janë bërë me qëllimin e shfrytëzimit të buxhetit, pasi sipas tij nuk është investuar shumë në ato projekte.

“Edhe shpenzimet që janë bërë, nuk është se është investuar diçka, por vetëm ta shpenzojnë buxhetin. Janë pastaj borxhet që i kanë pagu me mjetet e investimeve kapitale, siç është 20 përqindëshi i punëtorëve që është pagu në llogari të AKP’së, punëtorëve të fabrikës së tjegullave. Këto janë pagu vitin e kaluar, është e njëjta situatë, vetëm po thellohet çdo ditë e më keq”, ka theksuar Rrahmani.

Ndërkaq për vonesat e realizimit të projekteve në Komunën e Prishtinës, Rrahmani ka thënë se kjo po bëhet për shkak të ankesave të cilat palët po i fitojnë me të drejtë.

“Është e lehtë, vetëm duhet të çohen përpara projektet dhe të mos ketë ndikim tek operatorët, sepse njëra prej arsyeve që ka kaq shumë vonesa është se ankohen ata që nuk i fitojnë tenderat dhe zakonisht i fitojnë ankesat sepse nuk jepen në mënyrë të drejtë. Kur e fiton ankesën, duhet me u rishpallë tenderi dhe kalon kohë. Projektet që kanë filluar vazhdohen dhe kryhen pagesat me ato mjete, por shumica e këtyre projekteve nuk kanë filluar fare, nuk ka as tenderë as asgjë”, ka thënë ai, derisa ka bërë të ditur se ka projekte të cilat barten që nga viti 2017 dhe asnjëherë nuk është investuar në to.

E kritika ndaj Shpend Ahmetit për mosrealizim të buxhetit gjatë vitit 2019 nuk kanë vetëm asamblistët e opozitës.

Organizata INPO kishte kritikuar Komunën e Prishtinës pas publikimit të raportit financiar janar-qershor 2019, i cili kishte pasqyruar defektet e komunës lidhur me shpenzimet e buxhetit për projektet kapitale.

Organizata INPO përmes një komunikate për media ka njoftuar se është e shqetësuar lidhur me siç thuhet në komunikatë, paaftësinë kronike të komunës së Prishtinës në realizimin e buxhetit për projekte kapitale.

Nga 147 projekte kapitale që kanë qenë të planifikuara drejtoritë komunale, realizimi kishte filluar vetëm në 44 nga to apo 29.93%.

Gjendje më e rëndë dhe e cila kërkon veprime urgjente ishte theksuar të jetë Drejtoria e investimeve kapitale e cila nga 33 projekte kishte filluar ti realizojë vetëm gjashtë projekte.

Kategoria e investimeve kapitale në korrik të vitit 2019 kishte shënuar regres të vazhdueshëm e cila në vitin në vitin 2018 theu të gjitha rekordet negative ku buxheti i shpenzuar ishte vetëm 43 për qind. /KlinaInfo