Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin ndaj Lekë Veselit, i cili akuzohet për tentim vrasjen e Bekim Gashit, pas një mosmarrëveshje në komunikacion, më 10 janar, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata në Prizren. Zëdhënësi Marcel Lekaj ka ëbrë të ditiru se Veselit i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
“Me datë 05.05.2022, Gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda – Teuta Krusha, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit L.V., i cili në shqyrtimin e II-të ka pranuar fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës. Ndaj të akuzuarit L.V., për veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPK-së i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) viteve në të cilën dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 10 janar 2022 e deri më datë 05.05.2022 (kur edhe i është ndërprerë paraburgimi).”, thuhet në përgigjen e Lekajt.
Ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Lekë Veselit i është shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.
Lekë Veseli
“I akuzuari gjithashtu obligohet të paguajë 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit”.
Sipas aktakuzës, “me datë 10.01.2022, rreth orës 14:40, në rrugën ‘’Xhemil Fluku’’ në Prizren, i akuzuari L.V., tenton ta privojë nga jeta viktimën B.G., nga Prizreni, në atë mënyrë që, derisa viktima ishte në automjetin e tij së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur ku si rezultat i ngarkesës së trafikut rrugor ishte krijuar kolonë e veturave, ashtu që para automjetit të viktimës ishte duke qëndruar i pandehuri me automjetin e tij të markës ‘’Audi’’, i cili e kishte ndalur automjetin duke biseduar me një kalimtar rasti, kështu duke shkaktuar kolonë të panevojshme në trafik, me ç’rast viktima pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i bie borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën dhe në atë moment i pandehuri del nga automjeti, i afrohet viktimës dhe fillon të fjaloset me të.
Ndërkohë, në fjalosje e sipër, “i pandehuri kthehet në automjetin e tij, e merr një pistoletë në dorë dhe sërish kthehet tek vetura e viktimës dhe pas shkëmbimit të sërishëm të disa fjalëve, fillimisht me dorezën e pistoletës e godet viktimën në kokë, me ç’rast ky i fundit i vërsulet të njëjtit duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë, derisa viktima, ndonëse i plagosur, vazhdon t’ia mbajë duart të njëjtit për të mos shkrepur edhe më tej, derisa policia ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç’rast edhe e arrestojnë të pandehurin, ndërsa viktima si rezultat i armës së zjarrit ka pësuar lëndime trupore në kokë dhe në këmbën e tij të majtë të vërtetuara sipas raporteve mjekësore.”
Ndryshe, viktima e këtij rasti, Bekim Gashi, disa ditë pasi ka ndodhur ngjarja, ka treguar në detaje versionin e tij,
Sipas tij, i dyshuari e kishte bllokuar rrugën, “për të bërë muhabet” dhe ndonëse ky e kishte sinjalizuar disa herë që ta lironte rrugën, duke i rënë borisë, ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
Herën e fundit, kur Bekimi i kishte rënë borisë, pretendon se Lekë Veseli ka dalë nga vetura dhe i ishte afruar te vetura duke i bërtitur, për t’u kthyer më pas në veturën e tij, ku e kishte marrë armën e zjarrit me të cilën dyshohet se e ka qëlluar Bekim Gashin.
Në atë moment, i plagosuri thotë se ka arritur që ta neutralizojë dhe ta mbajë të bllokuar për 15 minuta, derisa ka ardhur Policia në vendin e ngjarjes.
“Unë, Bekim Ukë Gashi, isha tuj shku me punë familjare, me shoqen dhe vajzën e vogël 5-vjeçare. N’mes të rrugës ky matrapazi e ka ndal kerrin edhe ja ka kris muhabetit me ni person tjetër, për pak kohe i rash borisë (sirenës), dhe e mbajke rrugën e bllokume. Mbas pak prapë i rash (sirenës) njëjtë vazhdojke muhabetin, mbas ni kohe prapë reagova me (sirenë) dhe ky matrapazi doli prej kerrit u afru te unë me fjalët ‘ça ki a s’pot pritet a’ un isha n’kerr dhe i thash, ‘skajoje kerrin edhe tanë ditën bon muhabet’, matrapazi ma ktheu ‘kush k… je ti’ dhe dola prej kerit, i thash, mos përdor fjalë të flliqta o IDIOT.”
“Në atë moment matrapazi u kthy te kerri vet e ka marrë ALLTINË edhe m’u afru me fjalët ‘shka po don tash’, unë ja ktheva, ‘trimat nuk nxjerin ALLTIA’, i ligi e nxjerrë prej tutës, tash ki punë me polici. E thirra 192-shin dhe u ktheva në pozitën e djathtë, në atë moment ky matrapaz tinzakërisht m’ka goditë me “qyk t’Alltisë” në pjesën e majtë të kokës. Në atë moment telefoni m’ka ra prej dorës dhe ju vërsula për t’ja bllokuar ALLTINË, kur ja kom ulë ALLTIN, matrapazi edhe ni plumb e ka shkrep ku plumbi ma ka kapur këmbën e majtë, dmth. plagë sipërfaqësore dhe mbas kësaj arrita që t’ja bllokoj ALLTINË dhe matrapazin totalisht, që mos t’mund t’lëvizte deri sa t’vijnë policia.15 minuta e kam mbajt këtë matrapaz t’bllokum që mas me mujt me përdor atë virane, se tucat ndryshe s’dijnë.”
“Në momentin që ka ardhë polici afër, e kam liruar ALLTINË, ku pjesën të ‘kondaki’ dhe këmbëza e gishtit, ka qenë në dorën e matrapazit, kurse pjesa e shulit dhe pjesa ku shkrepet gjilpëra ka qenë e bllokuar në duart mia, që të mos mund të shkrepte, që siç e ceka më lartë, kjo quhet ‘TENTIM VRASJE ME ARMË ZJARI’, asni presje se kom shtu, as se kom hek, përndryshe dëshmi janë kamerat e sigurisë”, shtoi ai.