Pas paraqitjessë pandemisë së Coronavirusit në Kosovë, disa organizata të shoqërisë civile kërkojnë nga qeveria të merr masa ekonomike.
Ato thonë se e mirëpresin vendimin për ndarjen e skemave sociale disa ditë më herët si dhe ekzekutimin e hershëm të pagave.
“Qeveria duhet të jetë shumë më e pranishme në trajtimin e pasojave ekonomike duke marrë masa shtesë e me shtrirje më të gjerë, me theks të veçantë në minimizimin e pasojave për të punësuarit në sektorin privat dhe rastet sociale. Në anën tjetër, jemi të vetëdijshëm për kapacitetet e kufizuara të Qeverisë së Kosovës për t’u përballur me këtë armik të padukshëm. Për këtë arsye, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të hartojë dhe zbatojë një plan emergjent ekonomik, me qëllim të vënies në dispozicion të të gjitha burimeve shtetërore dhe mobilizimit të burimeve tjera për përballimin e kësaj situate të rëndë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ato propozojnë disa masa për tejkalimin e kësaj gjendje.
“Ndër të tjera, i propozojmë Qeverisë së Kosovës që: në pajtim me ligjet e aplikueshme të shfrytëzojë mundësitë e hyrjes në kredi, dhe të bëjë rishikimet e nevojshme buxhetore dhe të prioriteteve programore, për të krijuar fonde që përdoren për masa sa më universale mbështetëse ekonomike, me prioritet sektorin privat; të themelojë një Fond të solidaritetit që menaxhohet dhe administrohet nga Qeveria e Kosovës, ku të gjithë të interesuarit brenda dhe jashtë Kosovës të mund të ofrojnë ndihmë financiare sipas vullnetit të mirë. Të gjitha mjetet e gjeneruara të shfrytëzohen për menaxhimin e situatës rreth COVID-19, duke u dhënë përparësi përballimit të nevojave emergjente të rasteve më të rrezikuara. Menaxhimi dhe administrimi i Fondit të bëhet në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme, me raporte të detajuara gjatë dhe pas tejkalimit të kësaj situate”, kërkojnë ato.
Organizatat kërkojnë që qeveria duhet të hyjë në dialog me BQK-në që t’i pezulloj pagesat e kredive, për një afat tremujor.
“I rikujtojmë Qeverisë së Kosovës kërkesat tona që së bashku me Bankën Qendrore të Kosovës të hyjnë në dialog urgjent me sektorin bankar në Kosovë për të pezulluar pagesat e kredive për të gjithë kredi-marrësit në një afat të paktën 3 mujor. Kjo, pa aplikuar kamatë-vonesat për këtë periudhë pezullimi”, vijon njoftimi.
Në fund, këto organizata kërkojnë nga ministrat përkatës të ekonomisë dhe financave dhe zyrtarët tjerë përgjegjës që të ofrojnë informata të vazhdueshme dhe të detajuara, për t’u ofruar qytetarëve sigurinë e nevojshme që përveç aspektit shëndetësor, shteti është plotësisht i përkushtuar të udhëheqë edhe përballimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga shpërthimi i COVID-19. /Telegrafi/
Lista e organizatave përkrahëse
– Demokraci për Zhvillim (D4D)
– Demokraci Plus (D+)
– Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
– Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
– GWY/YMCA
– Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
– Instituti GAP
– Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
– Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)
– Instituti Kosovar pёr Hulumtim dhe Zhvillim tё Politikave (KIPRED)
– Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
– Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj)
– KW4W – Kosova Women 4 Women
– Lëvizja FOL
– Let’s Do It Kosova
– Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!
– Organizata “INTEGRA”
– Organizata “POLIS”
– Organizata “VKBIK”
– Organizata “PLEJADA”
– Organizata “RROGRAEK”
– Organizata “NOPM”
– Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K)
– Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)
– Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)
– Qendra Kosovare për Studime Gjinore
– Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK)
– Shoqata e Intelektualëve të Pavarur, Deçan
– Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK)