Shkurtohet koha e fluturimeve nga Kosova drejt shteteve perëndimore

Dje është hapur zyrtarisht korridori ajror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sot fluturimet drejt vendeve perëndimore dhe anasjelltas janë shkurtuar për rreth 10 minuta, kjo pasi që është shkurtuar trajektorja e fluturimeve për dhe nga Kosova.

P.sh aeroplani i cili ateroi sot në aeroportin ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, e që erdhi nga Memmingeni i Gjermanisë, bëri fluturim për rreth 10 minuta më pak se herëve të kaluara.

Kryeministri Albin Kurti dje tha se kjo shkurtesë e kohës përkthehet edhe në ulje të konsiderueshme të përdorimit të kerozinës, me çka e ruajmë mjedisin, por edhe rriten mundësitë për destinacione të reja dhe çmime më të përballueshme, me çka ruajmë kuletën e udhëtarëve.

“Mirënjohje të veçantë për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që luajtën një rol kyç në lehtësimin e kësaj arritjeje që është dëshmi e fuqisë së angazhimit të përbashkët për përparim. Së bashku, për një hapësirë ajrore më të sigurt, më efikase dhe miqësore për mjedisin”, ka thënë Kurti.