Futbollisti nga Klina, i cili po ngjet shkallët e suksesit në Turqi, Arb Manaj, përmes një postimi të bërë në rrjetin social FB, ka shpërndarë një shkrim, ku i dedikohet gjithë rrugëtimit dhe jetës së tij.
Ky është shkrimi në fjalë, tejet emocionues:
“Gjimnazi i Klinës quhet ‘Luigj Gurakuqi’ dhe kur regjimi i kohës vendosi heqjen e bustit të Gurakuqit nga shkolla, im atë qe aktiv në protestat kundër këtij vendimi. Përndjekja ndaj tij nisi që atëherë dhe jetën nuk e pati të lehtë. Unë isha vetëm 8 muajsh kur babin e vranë gjatë luftës, më 4 prill 1999. Në rrethin e ngushtë familjar, 6 janë martirët për lirinë e Kosovës.
Për mua është privilegj të përfaqësoj në futboll tokën për të cilën im atë dha jetën.”
Dje në Kosovë u përkujtua Dita e Personave të Pagjetur, datë e përzgjedhur pasi 27 prillin e vitit 1999 llogaritet se 500 njerëz u rrëmbyen brenda 1 ore për të mos u gjetur më kurrë.
Personazhi i këtij shkrimi quhet Arb Manaj, ka lindur më 23 korrik 1998 dhe sot luan mirë futboll. 8 muaj jetë i kishte kur në 4 prillin e vitit 1999, në masakrën e Krelanit u vranë 87 njerëz, 51 prej të cilëve sot e kësaj dite janë të pagjetur.
Për rritjen e Arbit të vogël kujdesen e ëma, zonja Vlora, bashkë me gjyshërit që e kanë dritë të syve. Në moshën 6-vjeçare Arb Manaj shfaq dëshirën për t’iu futur rrugës së lojës së bukur. Për të ëmën topi nuk është rruga e parapëlqyer që i dëshiron të birit, megjithatë janë gjyshërit që e përkrahin. Edhe djali i tyre i vogël, Smajli, i ati i Arbit, dikur kishte luajtur futboll në Klinë.
Këtu merr jetë historia që unë sot po shkruaj dhe ju me shpresë do lexoni.
Arb Manaj e nis me moshat e KF Dukagjinit, klubit të qytetit, por gjatë rritjes së tij sportive kalon kohë edhe te City Sport, shkollë futbolli në Klinë. E karakterizon shpejtësia si lojtar dhe hedh shtat shumë shpejt. Forma e mirë në turnetë vendas bën që Arbin ta njohin edhe më gjerë. Nga ku shkëputet edhe historia e mëposhtme:
“Axhi Fadil, a po mujna me e bo ni foto bashkë?”
Në Prishtinë qenë mbledhur futbollistët e vegjël më të mirë nga Istogu, Peja, Klina, në një grumbullim me qëllim zbulimin e talenteve nga federata vendase.
Lojtari, sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë me 11 gola në 4 ndeshje shpallet Arb Manaj nga Klina.
I ndrojtur, Manaj i afrohet legjendës Vokrri i cili me humor e modesti ia kthen: “Sot, jam unë që kërkoj foto me ty.”
Falë fizikut të bëshëm dhe shtatit të lartë Manaj ftohet në moshën 14-vjeçare të stërvitet me ekipin e të rriturve të KF Dukagjinit. Janë vite kur Arbin e thërret në seleksionim kombëtarja shqiptare U-17. Në një grumbullim në Mitrovicë, trajneri Džemal Mustedanagić e aktivizon vetëm 45 minuta në një ndeshje kontrolli brenda grupit.
“Me thënë të drejtën u shqetësova se më zëvendësoi vetëm mua dhe mendova se nuk kisha luajtur mirë.”
Në fund, Arb Manaj qe një nga dy lojtarët e atij seleksionimi që trajneri boshnjak përzgjodhi për grupmoshat tona. Fati i keq i mospajisjes në kohë me pasaportën shqiptare bën që Manaj mos të luajë dot me kombëtaren U-17, megjithatë Mustedanagić shndërrohet në një lloj mentori për të riun dhe falë tij, në adresë të sulmuesit nga Klina vjen një ofertë prej Dinamos së Zagrebit.
“Ofertë e firmosur në atë kohë nga presidenti Mamić. Bëhej fjalë për ekipin U-17 por për shkak të fizikut kaloj te ai U-19 dhe te skuadra B e Dinamos për stërvitje. Në klub atëherë ishte edhe Endri Çekiçi i cili më ka ndihmuar shumë për përshtatjen.”
Ende nën moshë për të firmosur kontratë, Manajn e ftojnë të shkojë rregullisht në Zagreb çdo disa muaj në mënyrë që të mësohet me ambientin dhe më pas të firmosë si profesionist. Kohë të bukura dhe me shumë stërvitje që kthehen në të zymta në të parin dëmtim serioz. Arb Manaj këput ligamentet e gjurit të djathtë dhe qëndron 11 muaj larg fushave të blerta.
“Nuk u dorëzova, shikoja video të Ronaldo fenomenit për frymëzim. Ai është etaloni i çdo dëmtimi në gju dhe mes terapive dhe stërvitjeve kaloja kohën duke parë vlerat e tij.”
Kthehet i fortë fizikisht dhe shënon 6 gola në 12 ndeshje me KF Dukagjinin kur i përsëritet i njëjti dëmtim, në të njëjtën këmbë e të njëjtin gju.
“Kësaj here qëndrova 8 muaj jashtë. E vuajti shumë nëna ime. Ishte delikate edhe në mbështetjen që më jepte. Asnjëherë nuk më thonte ta leja futbollin por me veprime më bënte të kuptoja që ajo do ishte aty në çdo vendim timin. Në kokën time nuk bëhej fjalë të tërhiqesha.”
Del dekreti dhe Arb Manajt i vjen koha për të tërhequr pasaportën shqiptare. Në këtë periudhë i vjen një ftesë nga Mitrovica. Klubi kampion, Trepça ’89 e fton të bëhet pjesë e tij.
“Më telefonon presidenti Abedin Zeka dhe më thotë që në klub kanë besim te unë. Më pyet për dëmtimin dhe më shpreh gatishmërinë për të më pritur derisa të jem në formën time më të mirë. Qyteti i Klinës më ka mbështetur shumë, klubi i Dukagjinit gjithashtu dhe kalimi im në Mitrovicë u mirëprit edhe prej tyre.”
Në stërvitjet e para me Trepçën ’89 Manaj çalon. Dukuri normale e periudhës së ripërtëritjes së dëmtimeve në gju, por që shihet me shqetësim për të ardhmen e të riut. Trajneri Zekerija Ramadani i qetëson të gjithë duke u treguar se të njëjtin dëmtim me po këto shqetësime e kishte kaluar edhe ai në kohën e tij si lojtar.
Edhe pse nuk është zgjedhje e parë e sulmit, Manaj kujton me dashamirësi periudhën e Gugash Maganit në klub duke e cilësuar si një trajner psikolog sidomos për lojtarët e rinj ndërsa vetë shpërthen me ardhjen në stol të Shpëtim Idrizit.
“Unë e kam mik Ismet Munishin. Në një bisedë me të më thotë që të shkruaj në një letër qëllimet për sezonin dhe ta var në një mur ku ta shikoj përditë. E ndjek këshillën e tij dhe shkruaj objektivat: 15 gola dhe 7 pasime vendimtare.”
Arb Manaj, me Shpëtim Idrizin si trajner të Trepçës ’89, e tejkalon qëllimin e tij duke shënuar 18 gola gjithë sezonin dhe duke dhënë 3 pasime vendimtare. Formë që i jep mundësinë e kalimit në Turqi. Manaj sot është pjesë e skuadrës Balıkesirspor, huazuar nga Ankara Keçiörengücü në gjysmën e dytë të sezonit. Me të dyja skuadrat ka arritur të shënojë 10 gola në kampionat e 2 në kupë duke ndihmuar Balıkesirspor-in të sigurojë qëndrimin në kategori.
Arb Manaj ka luajtur një ndeshje me Kosovën dhe si qëllim për të ardhmen ka rritjen e tij sportive dhe kalimin në një kampionat më të fortë.
“Mami është frymëzimi im më i madh. Rininë e saj ma fali mua dhe çdo sukses i imi shkon për të. Edhe i ati i saj, gjyshi im, është një tifoz i madh futbolli. Kur luaja në Klinë ishte i pranishëm në çdo stërvitje e ndeshje. Kur kalova në Mitrovicë i binte anembanë Kosovës me autostop që të vinte e të shikonte ndeshjet e mia.”
Tifoz milanist, Arb Manaj është rritur duke ndjekur Ricardo Kaká-në dhe sot gjen frymëzim te Zlatan Ibrahimović, biografinë e të cilit e ka lexuar së fundmi. Në Shqipëri më tha se parapëlqen të njëjtën skuadër si autori i këtyre rreshtave dhe në bisedë e sipër më bëri përshtypje kur tregonte se në fillimet e tij në Mitrovicë bënte 110 km me makinë vajtje-ardhje çdo ditë dhe në fazën përgatitore, për të ulur peshën pas dëmtimit, përveç 2 seancave stërvitore me ekipin, zhvillonte edhe një të tillë vetjake.
Arbi më kërkoi gjithashtu të veçoja trajnerët që e kanë mësuar ndër vite si Milazim Maxharraj, Qaza Berisha, Idriz Elezaj, Tom Zallaj, Gani Metaj dhe Severin Elezaj.
Suksesi nuk kërkohet me llafe, do punë, përulje dhe sakrifica…
A. Kasmi