SHKREPE STRALLIN (poetit Din Mehmeti)

Fol, Baclok,
fol e dridh qiell!

Nëse arrijnë
derra të kënaqur të na bëjnë,
dheut të moçëm a do t’i mbeten rrënjë?

Fol, Baclok,
fol e dridh bjeshkë!

Nëse arrijnë
diellin tonë të mos e besojmë,
a vdesim pa dritë, a rrojmë?

Fol, Baclok,
fol e dridh tokë!

Narcistët shohin ëndërr
se janë majë bjeshkës.

Shkrepe, Baclok,
shkrepe strallin tënd të fjalës,
pashë besën,
në tokë të hyjnë bejtet.

TASH TË NDJEK BLUJA

Tash
t’i shkel thembrat
bluja,
dje
e kuqja.

Ç’u bë me ty
Imzot?

Nesër ishte dje,
nesër është sot.

FËMIJËT

Pos tyre,
bota nuk ka racë tjetër
të njerëzve.

Foshnjave kur regjistrohen
me keqdashje s’u jepet
ky status i përkohshëm
në asnjë zyrë shtetërore
të gjendjes civile.

KAMELEONËT

As ishin as janë mall i dobishëm
sikur buka, bie fjala, sikur nafta,
prandaj ende blihen shumë lirë,
edhe sot gjatë luftës n’ Ukrainë.

BUKA

U tha
me hime
me krunde,
gërdhushta,
me bëzhdila,
me gëzhuta
të bëhet
buka.

Mjeshtri i moçëm
e pa sa është ora,
dhe nënat u trembën
se nuk do t’iu rriten
fëmijëve të tyre krahët
me fluturue rreth Diellit
dhe me pa aty prushin
e gjakut tonë.