SHKON NË 22 NUMRI I VIKTIMAVE NË TURQI

Ka shkuar në 22 numri i viktimave në Turqi si pasojë e tërmetit që goditi lindjen e vendit. Ishte ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, i cili bëri të ditura të dhënat sot në një konferencë për shtyp së bashku me ministrin e Mjedisit dhe atë të Turizmit.

Sipas tij, katër persona humbën jetën në qytetin Doganyol dhe 18 të tjerë në Elazig, ku ishte edhe epiqendra e lëkundjes me magnitudë 6.8 i shkallës Rihter.

Ai shtoi se 39 të tjerë deri tani janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Po sipas të dhënave zyrtare, janë plagosur rreth 1030 persona. 128 prej të cilëve, po trajtohen aktualisht në spitale. 34 persona janë në gjende të rëndë shëndetësore.

Sakaq, autoritetet kanë vendosur të evakuojnë tërësisht një burg në lindje të vendit, i cili është dëmtuar si pasojë e goditjes. Tre ministrat këshilluan banorët të mos hyjnë në shtëpitë e dëmtuara si pasojë e rrezikut të lartë. Në terren po punojnë rreth 368 forca të emergjencave.

Pamjet që vijnë nga mediat turke tregojnë nivelin e shkatërrimit të qyteteve. Të frikësuar, mijëra banorë e kaluan natën jashtë në temperatura të ulëta.