Shkolla Fillore “Emin Duraku” në Sferkë të Klinës, me rastin e Festës së 28 Nëntorit, sot ka mbajtur një program festiv i organizuar nga nxënësit dhe personeli arsimor.
Me këtë rast para të pranishmëve një fjalë rasti e ka mbajtur edhe drejtori i shkollës ndër të tjera ka thënë se në historinë e kombit shqiptar kudo që jeton, data e 28 Nëntorit është krye-festa më përbashkuese.
“Nëntori për ne shqiptarët nuk është vetëm muaji i njëmbëdhjetë i vitit, me të na lidhin shumë ngjarje të mëdha historike kombëtare. Muaji nëntor është muaji në të cilin gërshetohen një varg ngjarjesh me karakter historik, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare dhe janë ngulitur thellë në vetëdijen e shqiptarëve. Rastësi apo me paramendim këto ngjarje janë të përfshira në një ditë të shënuar siç është 28 Nëntori, e cila është kthyer në datë-simbol të ngjarjeve me karakter historik për të gjithë shqiptarët”, ka thënë ai.
Tutje ka shtuar se për këtë flamur dhe nën hijen e këtij flamuri e kanë flijuar jetën e tyre bijat dhe bijtë më të mirë të kombit tonë. Është ky flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë.
“Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi krijuan ngjarje, që mbetën në kujtesën tonë për të mos u harruar, data e 28 nëntorit të vitit 1997, është data e shfaqjes së ushtrisë sonë më të lavdishme nëpër shekuj: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila lindi si një rreze shprese, dhe radhët e saj u forcuan me shumë djem e vajza, që ishin morali, krenaria dhe baza shpirtërore nga ku ushqehej populli i Kosovës.
Në 28 nëntorin e vitit 1955 do të lindë djali i dytë i mësuesit Shaban Jashari, i cili punoi me përkushtim në luftën kundër analfabetizmit, djali i tij dhe i tërë Kosovës Martire, Adem Jashari, legjendë e gjallë, që luftoi deri në vetëmohim për çështjen madhore kombëtare. Me lindjen e tij, dhe me qëllimin e tij madhorë ndryshoi edhe historia kombëtare.
Prandaj, 28 Nëntori nuk është thjeshtë vetëm një festë e ditës së flamurit kombëtar dhe i pavarësisë së Shqipërisë, por është edhe një amanet, një betim për të qenë gjithmonë të mbrojtur me idealin kombëtar, që shqiptaria dhe shqiptarët të ndihen të lirë, krenar dhe Zot në trojet e veta. Flamuri ynë kombëtar është vetëm flamuri i lirisë! Është ky flamur që mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtësisht të ndara.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit Kombëtar! Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen festën tonë kombëtare!”, e përfundoi fjalimin i pari i këtij institucioni.
Ndryshe, pika të ndryshme recitimi, muzikë e vallë u dhanë nga nxënësit e kësaj shkolle.