Me një investim afër 1 milion euro nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe komuna e Klinës, shkolla “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë është shndërruar në një nga shkollat më infrastrukturën më të mirë në Kosovë.
Kështu ka shkruar në një status, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Ai ka bërë të ditur se në kuadër të përgatitjeve që po bëjmë për fillimin e vitit të ri shkollor, bashkë me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, kanë vizituar SHFMU “Dëshmorët e Qëndresës”, ku bashkë me drejtorin e shkollës, Uran Hasanaj, kanë parë nga afër punën e mirë që është bërë, për çka edhe e përgëzoj drejtorin e DKA-së dhe drejtorin e shkollës për angazhimin e treguar.
“Shkolla është e gatshme dhe nga 2 shtatori nxënësit e mësimdhënësit do të fillojnë procesin mësimor në ambientet e rinovuara e moderne.
Pas investimit të bërë, shkolla do të ketë kabinete të informatikës, kabinete të biologjisë, fizikës e kimisë, sistemin e zërimit në klasë, sistemin kundër zjarrit, shkallët emergjente, janë vendosur kamerat e sigurisë, lifti dhe tualetet për persona me aftësi të veçanta, inventari i ri, sistemi i ngrohjes me pompa termike.
Po ashtu është bërë izolimi i tërësishëm i shkollës, rregullimi i oborrit, rinovimi i brendshëm, me klasë e salla moderne, duke i dhënë një pamje të bukur e kushte pune të jashtëzakonshme.
Me qëllim që të rritet cilësia në arsim, ne do të vazhdojmë të angazhohemi maksimalisht që shkollat në komunën tonë dhe nxënësit e mësimdhënësit tanë të kenë kushte moderne në shkolla.
Stafit të shkollës, mësimdhënësve e nxënësve ju uroj suksese sa më të mira në ambientet e reja të shkollës!”, shkruan Elezaj në një postim në FB.