Për tre muaj rresht, rajoni i Drenasit dhe Lipjanit ishte qendër e grabitjeve të armatosura. Cak ishin kryesisht pompat e derivateve nga të cilat grabitësit nën kërcënim të kallashnikovëve morën mijëra euro dhe ikën në drejtim të panjohur.
Policia e Kosovës kishte nisur hetimet intenzive për të identifikuar kryesit e këtyre veprave ndërsa së fundi grupi i tyre u shkatërrua.
Të shtunën u arrestuan gjashtë grabitës dhe u konfiskuan armë, municione, drogë e para ndërsa dje pasdite në pranga ra edhe personi i shtatë i dyshuar.
“Sot rreth orës 17:00, nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, është arrestuar edhe një person i dyshuar për rastet e grabitjeve të armatosura të ndodhura në periudhën korrik-shtator 2022, në pompa derivatesh, si dhe është sekuestruar edhe një armë zjarri AK -47”, u tha në njoftimin e policisë të mërkurën.
Personi i dyshuar: A.A, mashkull, 21 vjeç, pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje.
Në mbajtje janë edhe Z.Amrullahu, 18-vjeçar, L.Drenica, 18-vjeçar, E.Shala, 19-vjeçar, V.Shala, 21-vjeçar, B.Mejzinolli, 19-vjeçar dhe F.Shamolli, 18-vjeçar.
IndeksOnline