Komuna e Istogut ka shkarkuar drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit, Elianë Blakaj, nga kjo pozitë, thuhet në vendimin e marrë më 4 maj. Ajo ka akuzuar kryetarin e Komunës, Ilir Ferati dhe nënkryetarin, Ali Nimanaj, se shkarkimin e kanë bërë për arsye politike.
Në një postim të gjatë të bërë në Facebook të hënën, Blakaj tha se shkarkimi iu bë në mënyrë tinëzare e tradhtare, e s’u bë për shkak të punës, por siç tha ajo, për shkak se nënkryetari kishte dëshirë të ushtronte funksionin e kësaj pozite.
“Shkarkimi ndodhi në mënyrë tinëzare dhe tradhtare. Nuk ndodhi për shkak të moskryerjes së detyrave të punës, por ndodhi për shkak se nënkryetari kishte dëshirë të ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë të cilën e menaxhoja dhe ky fakt tregon paaftësinë e tij për kryerjen e detyrave të cilat është i ngarkuar brenda Komunës. Ky shkarkim ndodhi, për ta fshehur paaftësinë e tij si partner i koalicionit për ta menaxhuar atë, duke parë vetën si patericë pa asnjë funksion, bëri atë që kishte mundësi të vetme”, shkroi ajo.
Sipas Blakajt, ajo u shkarkua nga kjo Drejtori edhe sepse kryetari Ferati po i frikësohej punës së saj.
“Një kryetar nuk duhet t`i frikësohet një drejtoreshe e cila ka punuar ndershëm dhe drejt, përkundrazi do ishte dashur të krenohet. Apo kjo duket të ketë qenë arsyeja pse atij nuk iu kam përshtatur. Mjafton ta shihni profilin në rrjetet sociale dhe angazhimin tim dhe të tij për këtë periudhë, çdo kush që gjykon drejt mund të shohë realitetin. Unë kam ardhur në këtë pozitë nga besimi qytetar, duke qenë femra më e votuar nga radhët e PDK-së në Istog, pa kalkulime dhe pa preferenca të kryetarit të Degës. Puna ime për dikë ka paraqitur frikë, ndoshta pse janë mësuar që afër vetës të mbajnë servil dhe duke mos punuar asgjë e duke shfrytëzuar zyrën vetëm për të pirë kafe”, tha Blakaj.
Sipas drejtoreshës së shkarkuar, Partia Demokratike e Kosovës, që është pjesë e qeverisjes lokale në Istog, nuk i përkrahë gratë, ndërsa shtoi se disa burra të pandershëm e kanë luftuar “pasi suksesi ka qenë pengesë për ta”.
Ajo i tha KOHËS se kërkesa për shkarkim ishte bërë nga nënkryetari Nimanaj, pasi sipas saj, ai dëshironte të kishte kontroll të plotë në drejtorët e Komunës.
“Realisht kërkesa për shkarkim ka ardhur nga Aliu, sepse ai donte kontroll maksimale në drejtorët. Mos me bë asgjë unë pa e pyetur atë dhe unë kam tentuar t’i bëjë ato që kam menduar se janë të drejta për secilën çështje dhe kam këmbëngulur vazhdimisht, për një kohë të gjatë. Iliri ka vepruar politikisht për shkak se Ilir e ka ditë dhe njohur punën time. E ka ditur që nëse mbes deri në fund të mandatit, mundem me bë më shumë edhe normalisht ku me marrë me heq një drejtoreshë që realisht nuk është politikisht në të njëjtën kahje me të”, deklaroi ajo.
Blakaj i tha KOHËS se ende s’ka marrë vendim nëse do të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës.
KOHA ka kërkuar një koment nga nënkryetari Ali Nimanaj, por s’ka marrë përgjigje deri në momentin e raportimit.