Kudrën e re
njerëzit s’e lanë
me ca shoqe të saj
të bënte kortezhin
për qenin e ri
vrarë nga një njeri
në lagjen
më të varfër të qytetit.
Kudra e re
vuan e pret
një natë të ftohtë,
pa hënë, pa njerëz,
të mos e lërë mbi dhe
qenin e dashur
që s’e ka më.
PANTEONI I QENVE
Dhimbja ime ka mort,
po dhunojnë njerëzit
panteonin e qenve,
O Zot!
PËRGJIGJJA E QENIT
Më herët se ti unë pata sy,
në guva shkëmbinjsh
më herët se ti ndërtova shtëpi.
AUTOPSIA E QENIT
Nuk ia bëjnë autopsinë qenit,
sepse zemra i del shumë e mirë,
pastaj sytë,
ah, sytë,
ku nuk vdesin kurrë
xixëllonjat e mia të fëmijërisë.
Qenit nuk ia bëjnë autopsinë,
sepse gjithçka kristal
në qiellin e shpirtit i del,
pos një vranësirë e zezë,
e sjelljes sonë qençe ndaj tij
dhe qenve të tjerë.
Qeni flet më mirë sesa lehin njerëzit,
prandaj autopsinë nuk ia bëjnë qenit.