Katër gra shtatzëna deri më tani në bazë të të dhënave zyrtare janë prekur nga Covid 19 në Kosovë. Derisa një nga to tashmë ka ndërruar jetë. Por gjendja shëndetësore e tre grave të tjera lehona tashmë është stabile. Madje njëra nga to, tashmë është shëruar plotësisht nga koronavirusi. E dy të tjera pritet që të sjellin në jetë së shpejti foshnjat e tyre. Drejtori i klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili ka dhënë detaje rreth gjendjes së tyre shëndetësore në një lidhje direkte për Gazetën Express.
“Njëra nga pacientet me Covid pozitiv është në Klinikën Infektive duke u trajtuar. Ajo është në javën e 36 të shtatzënisë. Gjendja e saj shëndetësore është stabile. Ne në vazhdimësi jemi duke e vizituar atë”, shpjegon Ismajli.
Ai thotë se një paciente e cila është shtatzënë tashmë është shëruar plotësisht nga Covid 19.
“Edhe një paciente tjetër është në javën e 37. Ajo në dy testet e bëra ka rezultuar negativ. Pra është shëruar plotësisht. E kemi edhe një zonjë tjetër që ka Covid pozitiv e që është në javën e 35 e që jemi duke e trajtuar”, shpjegon Ismajli.
E vetëm në muajin prill në Gjinekologjinë e QKUK’së janë kryer gjithsejte 653 lindje. Ndërkohë në muajin mars 70 lindje.
“Në muajin mars kemi pas 709 lindje ndërkaq në prill i kemi pas 653 lindje. Fluksi i punës është normal. Po kryhen rregullisht të gjitha lindjet. Kemi lehona që na vijnë edhe nga regjionet e tjera të Kosovës. Ne po punojmë me intensitet pothuajse normal”, thotë ai.
Ismajli tutje shpjegoi edhe për gjendjen e stafit mjekësor të Gjinekologjisë.
“Edhe stafi jon tashmë është shëruar dhe tashmë janë të gatshëm për punë”, thotë ai.
Që nga 13 marsi, kur edhe u shënuan rastet e para me pandeminë COVID-19 në Kosovë, janë regjistruar 799 raste, 22 kanë përfunduar me fatalitet, derisa 249 persona janë shëruar.
Po ashtu nga data 8 shkurt deri më 29 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.180 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2