Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka njoftuar për shërimin e plotë të pacientit të dytë të infektuar me COVID-19.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka bërë me dije se është hequr masa e karantinës për fshatrat Dumnicë dhe Llaushë.
Ai ka apeluar te banorët e këtyre fshatrave dhe të gjithë Komunës së Podujevës t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe institucioneve të tjera, që sa më lehtë dhe pa pasoja për shëndetin ta përballojmë këtë sfidë.
“Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë se sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u imformuam për shërimin e plotë të pacientit të dytë të infektuar me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, kurse familja ku kishim personat e infektuar do të vazhdojë të qëndrojë në vetizolim.Lajmi tjetër i mirë është se nga ky moment është hequr masa e karantinës për fashatrat Dumnicë dhe Llaushë”, ka shkruar Rudari.