Shërohet pacienti i fundit i infektuar me COVID-19 nga Malisheva

Malishevë, 14 qershor
Bazuar në rezultatet e analizave dhe në komunikimin zyrtar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, përveç se të gjitha testet e sotme nga Malisheva kanë rezultuar negative, edhe personi i fundit i prekur me COVID-19 nga Malisheva është shëruar plotësisht, pasi në dy analizat e fundit, pacienti ka rezultuar negativ dhe konsiderohet plotësisht i shëruar.


Shërimi i pacientit të fundit, është konfirmuar edhe nga familja, të cilëve IKSHP ju ka konfirmuar se pacienti ka rezultuar negativ edhe në testin e dytë radhazi.
“Që nga paraqitja e rastit të parë më 14 mars, shtabi komunal emergjent ka qenë i angazhuar maksimalisht në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, ku është punuar me të gjitha kapacitet e saj, duke përfshirë qeverinë komunale, Policinë e Kosovës, sektorin e shëndetësisë, bashkëpunimin e ngushtë dhe të ndërsjellë me IKSHP dhe Klinikën Infektive, është arritur të menaxhohet mirë pandemia dhe sot kemi zero raste me COVID-19. Falënderimi më i madh shkon për qytetarët e Komunës së Malishevës, të cilët kanë treguar kujdes dhe seriozitet të lartë në raport me pandeminë, duke i respektuar masat e institucioneve shëndetësore. Pavarësisht kësaj, ne si shtab komunal dhe si qeveri komunale, ju bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse ndaj pandemisë, të mbajnë maska, t’iu ikin grumbullimeve të shumta, të mbajnë distancën dhe higjienën, në mënyrë që ta mbrojmë veten dhe të tjerët”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, pas konfirmimit të shërimit të pacientit të fundit nga Malisheva.
Situata me COVID -19 në Malishevë, është kjo: nga data 14 mars, e deri më tani, me COVID-19, janë prekur 77 persona, 76 prej tyre janë shëruar dhe një rast ka rezultuar me fatalitet.
Shtabi Komunal Emergjent në Malishevë, vazhdon të jetë aktiv dhe i angazhuar maksimalisht në menaxhim të situatës.