Sot, në kuadër të Kampanjës Globale “16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave”, në Klinë u mbajt një aktivitet i organizuar nga Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj në bashkëpunim me Zyrën për Barazi Gjinore. Ky aktivitet synonte adresimin e sfidave të dhunës gjinore dhe promovimin e ndërgjegjësimit për respektimin e të drejtave të grave në shoqëri.
Aktiviteti nisi para objektit të Komunës, ku pjesëmarrësit – përfaqësues të institucioneve lokale, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të interesuar – realizuan një foto të përbashkët. Më pas, të pranishmit morën pjesë në një ecje simbolike përgjatë sheshit “Muj Krasniqi”, duke shprehur mbështetjen e tyre për kauzën kundër dhunës gjinore.
Pas ecjes, pjesëmarrësit u mblodhën për një kafe të përbashkët, ku u shkëmbyen ide dhe sugjerime për forcimin e ndërgjegjësimit dhe për veprime konkrete kundër dhunës ndaj grave.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Elezaj theksoi rëndësinë e angazhimit institucional dhe shoqëror në luftën kundër këtij fenomeni, duke nënvizuar domosdoshmërinë e ndërtimit të një shoqërie që garanton barazi dhe respekt për të gjitha gratë dhe vajzat.
Ky aktivitet shërbeu si një thirrje e fuqishme për veprim dhe solidaritet kundër dhunës gjinore, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe respektimit të të drejtave të grave në Komunën e Klinës.