Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot me disa aktivitete, ku ishin të pranishëm kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, përfaqësues të shoqatës për persona të pagjetur, familjarë të martirëve e qytetarë është shënuar Dita e të Pagjeturve të Luftës në Komunën e Klinës.
Në shënim të 4 Prillit aktivitetet kanë filluar me homazhe dhe vendosjen e kurorave me lule te pllaka përkujtimore e martirëve në Klinë. Homazhe janë bërë edhe te pllaka përkujtimore e familjes Dushi në Klinë dhe pllaka përkujtimore në fshatin Kralan, ku pushtuesit serb më 4 prill të vitit 1999 kreu masakra të tmerrshme duke vrarë e masakruar civil të pafajshëm e të pambrojtur.
Po ashtu, homazhe janë bërë edhe në memorialin e të pagjeturve në Pastasel dhe Izbicë.
Kryetari Elezaj, me këtë rast i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të angazhohen që fati i të pagjeturve të ndriçohet dhe kryesit e këtyre masakrave duhet të vihen para drejtësisë
“25 vite pas fati i rëndë e enigmatik i të pagjeturve po na mundon si një plagë e hapur për të gjithë ne, ndërsa ende askush nuk është dënuar për këtë krime mizore ndaj popullatës civile.
I bëj thirrje institucioneve përgjegjëse e faktorit ndërkombëtar që të angazhohen që fati i të pagjeturve të ndriçohet dhe kryesit e këtyre masakrave duhet të vihen para drejtësisë.”
Në fund të aktiviteteve përkujtimore, në hollin e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit” është mbajtur ekspozitë me fotografitë e personave që sot i mungojnë Klinës e më shumë familjeve të tyre.
Këtë ekspozitë me pjesëmarrje e nderuan edhe z. Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, si dhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qendror për Persona të Pagjetur.