Në Klinë sot ka filluar shpërndarja e 300 pakove me gjera ushqimore për familjet në nevojë të Komunës së Klinës dhe komunave tjera, ku një pjesë e tyre do të ndahen për familjet e besimit krishterë shkruan Klina info
Ky aksion për shpërndarjen e këtyre ndihmave është iniciuar nga Asllan Rudaj, i cili këtë organizim e ka bërë me përkrahje të “Ma kthe buzëqeshjen” dhe “Eagle boxing”, por është përkrahur financiarisht edhe nga shumë qytetarë, kryesisht mërgimtarë dhe “Nora Market”.
Hoxha nga Klina, Blerim Musliu, i cili është pjesë e këtij organizimi për ofrimin e ndihmave për familjet në nevojë, ka thënë se këto ndihma do të ndahen duke u bazuar në nevojat që kanë familjet, duke i thyer edhe ndasitë fetare pasi këto ndihma do të shkojnë edhe për familjet e besimit katolik.
“Ne jemi me shpresë se ka hair në këtë popull derisa ne jemi afër njëri tjetrit. Ky solidaritet që mbretëron tek ne e i cili i then edhe kufijtë e besimeve, ku këto ndihma do të shpërndahen edhe tek besimtarët e besimit katolik edhe tek njerëzit me bindje, qoftë partiake ose me bindje të ndryshme. Pra pa asnjë dallim. Ne do të jemi afër tyre që të paktën në këto ditë të ftohta ta ndjejnë ngrohtësinë dhe të ndjejnë që dikush kujdeset për ta”, ka thënë Musliu.
Ai ka treguar se ky nuk është aksioni i parë i ofrimit të ndihmat për familjet në nevojë, por ka thënë se është aksioni i gjashtë dhe më i madhi i organizuar nga ta dhe pakot do të shpërndahen kryesisht në qytetin e Klinës, por edhe ne vende tjera, varësisht sipas nevojës.
Musliu ka shprehur falënderim për bamirësit,
“Duhet t`i falënderojmë dhe ta lusim Zotin e madh të i shpërblejë iniciatorët dhe bamirësit, të cilët e kanë lehtësuar dhe mundësuar realizimin e këtij projekti, kryesisht bashkatdhetarët që jetojnë në vendet e perëndimit me organizatorin Asllan Rudaj, i cili vazhdimisht mundet të jetë afër qytetarëve me organizime të tilla nën logon “Ma kthe buzëqeshjen” apo “Eagel boxing”, ka theksuar Musliu./Klina.info/