Shefqet Kabashi është dëshmitari i radhës në gjyqin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai sot është paraqitur me video-lidhje, shkruan lajmi.net.
Shefqet Kabashi ishte dëshmitar edhe në rastin kundër Haradinajt në Hagë.
Shefqet Kabashi ishte dënuar me dy muaj burgim pasi që kishte refuzuar t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorit si dëshmitar në rastin ndaj Haradinajt.
Siç shpjegohet në aktgjykimin e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavinë, Kabashi kishte refuzuar t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorit pasi ishte “thellësisht i zhgënjyer” që pritjet e tij në lidhje me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve sikurse masakra e Burgut të Dubravës nuk u përmbushën, pasi që vet Kabashi ishte i mbijetuar i kësaj masakre.
Në një rast, siç thuhet në aktgjykim, Kabashi ishte pyetur në rigjykim ndaj Haradinajt se a kishte frikë për sigurinë e familjes së tij, teksa ishte përgjigjur me “Nuk e di”.
Në dënimin ndaj Kabashit, Tribunali kishte marrë parasysh edhe rrethanat familjare të Kabashit si dhe gjendjen e tij shëndetësore.
Kabashi ishte rishfaqur në skenë në maj të vitit 2019 në ceremoninë përkujtimore të 20 vjetorit të Masakrës së Dubravës.
I njëjti kishte ndërprerë për disa momente këtë ceremoni duke thënë se figura të njohura të luftës dhe të mbijetuar të Masakrës së Dubravës, e kishin shpallur tradhtar atë.
“Marre duhet me ju ardhur, ju nuk duhet me qenë këtu…Cilit protokoll mua këta më thonë tradhtar qita, qyky Kuçi e qyky Njazia e qyky Naiti me shokët e vet, unë nuk jam tradhtar, unë jam luftëtar i lirisë … na keni marrë bukën, duam shtet demokrat e jo komunist”, kishte thënë i frustruar ai.
Pas këtij rasti ai ishte arrestuar nga Policia teksa i ishte gjetur edhe armë në veturë. /Lajmi.net/