Plani i dyshuar i Moskës për vendosjen e një lideri pro rus në Kiev është shqetësues, deklaroi Emily J. Horne, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
Në komunikatën e rastit thuhet se kryeministri i ardhshëm i vendit mund të ishte ish-deputeti ukrainas Yevhen Murayev, i cili konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
”Ky lloj konspiracioni është shumë shqetësues. Populli ukrainas ka të drejtën sovrane për të përcaktuar të ardhmen e tij dhe SHBA rithekson se qëndron në anën e aleatëve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, theksoi Horne.
Ministria e Jashtme britanike njoftoi dje se Kremlini nuk po shqyrton vetëm një inkursion ushtarak në Ukrainë, por edhe “pushtim” sipas rregullave duke instaluar në qeverinë e Kievit një pro rus.
Kandidati për kryeministër i Moskës në ish-republikën fqinje sovjetike është ish-deputeti ukrainas, Yevhen Murayev.
Ministria e Jashtme Britanike gjithashtu pretendon se ka informacion në lidhje me kontaktet ndërmjet shërbimeve sekrete ruse dhe katër personalitete të tjera politike të Kievit, ish-kryeministri Mykola Azarov, ish-zëvendëskryeministrat, Serhiy Arbuzov dhe Andriy Kluyev, si edhe ish-zëvendësshefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vladimir Sivkovich, të cilët kanë qenë të gjithë në detyrë në kohën e presidentit të konsideruar pro rus, Viktor Yanukovych, i rrëzuar nga pushteti në vitin 2014.