Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë sot homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, që u vra një vit më parë gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin thirrjen që autorët dhe personat e përfshirë në këtë “krim të tmerrshëm” të mbahen plotësisht përgjegjës.
“Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve diplomatikë për të nderuar zyrtarin e vrarë të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëri e jona, që autorët dhe ata që janë të përfshirë në këtë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”, tha Hovenier.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Kosova e ka cilësuar sulmin si “terrorist” dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të.