Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci së bashku me gjenerallejtënant Bashkim Jasharin si dhe zyrtarë dhe oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së pritën delegacionin nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve me të cilët zhvilluam konsultimet bilaterale të mbrojtjes.
“Së bashku u dakorduam për rrugën përpara me përkushtimin e përbashkët për implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit që do të kulmojë me arritjen e kapaciteteve të plota drejt një force profesionale, multi-etnike, të ndërveprueshme me NATO-n dhe të gatshme për të zhvilluar misionin e mbrojtjes së territorit”, ka shkruar ministri Maqedonci rreth këtij takimi.
E me një njoftim ka dalë edhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, ku thekson se më 22 e 23 shkurt, Alton Buland, drejtor kryesor për Politikat Evropiane dhe të NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, bashkëkryesoi Konsultimet Dypalëshe të mbrojtjes SHBA-Kosovë (BDC), shkruan RTK.
“Pjesëmarrësit përfshinin gjeneralmajor Steve Osborn, gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowa-s; Gjeneral Brigade Chris McKinney, zëvendës J5 për Partneritete Globale dhe Bashkëpunim të Sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA (USEUCOM); Kolonel Darrick Mosley, zyrtar i lartë i mbrojtjes dhe atasheu i mbrojtjes i SHBA; dhe përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Agjencia për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Qëllimi i BDC-së ishte të diskutonte prioritetet e bashkëpunimit dypalësh të sigurisë dhe mbështetjen për zbatimin e planit 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së për transformimin e FSK-së në një forcë mbrojtëse profesionale, multi-etnike, ndërvepruese me NATO-n, që i nënshtrohet kontrollit civil për të gjithë popullin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Mbrojtjes.
Tutje theksohet se pjesëmarrësit e këtij takimi ndanë informacione rreth projekteve që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe ndërveprimit të FSK-së, angazhimet e ardhshme ushtarake, Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Buland përshëndeti Kosovën për arritjet që FSK-ja ka bërë në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe falënderoi ministrin Maqedonci për kontributin e FSK-së në Ukrainë, duke përfshirë ofrimin e trajnimeve dhe ekspertizës në deminim. Udhëheqësit riafirmuan rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet për marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të këtij takimi, Buland dhe McKinney vizituan Shtabin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe kontingjentin e saj amerikan për t’i falënderuar për rolin që luajnë, duke kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.