Këshilltarët e presidentit amerikan Joe Biden po diskutojnë për një vizitë të mundshme në Arabinë Saudite për të ndihmuar në riparimin e marrëdhënieve dhe për ta bindur Mbretërinë për ta rritur prodhimin e naftës, raporton Axios.
Lajmi vjen gjithashtu mes raporteve nga New York Times se zyrtarët e Biden udhëtuan në Venezuelë gjatë fundjavës për t’u takuar me qeverinë e presidentit Nicolás Maduro. Ata në Washington kanë sugjeruar se nafta e Venezuelës mund ta zëvendësojë atë të Rusisë, shkruan The Guardian
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha Axios: “Ne nuk kemi ndonjë udhëtim ndërkombëtar për të njoftuar në këtë kohë, dhe shumë nga këto janë spekulime të parakohshme”.
Çështja e furnizimit global me energji dhe një riorganizim i mundshëm i aleancave botërore ka dalë në pah në dritën e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. SHBA-ja aktualisht mbështetet tek Rusia për 10% të importeve të saj të naftës bruto dhe produkteve të naftës, sugjerojnë burimet.
Të dielën, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se ligjvënësit amerikanë po “ekplorojnë” legjislacionin e mundshëm për ta izoluar Rusinë, duke përfshirë një ndalim të plotë të naftës dhe produkteve energjetike ruse në SHBA.