Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i ka dhuruar Kosovës 50 respiratorë të ri dhe nga më bashkëkohorët për të ndihmuar në luftën e saj kundër COVID-19.
Sipas zyrës për marrëdhënie me publikun e ambasadës së Amermikës, ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemër gjërë të Presidentit Trump për furnizim me pajisje të domosdoshme dhe mbështetë Kosovën në përgjigjen urgjente ndaj pandemisë.
Në njoftim thuhet se respiratorët e markës “Vyaire,” të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, pasqyrojnë teknologjinë më të fundit për të cilën ka kërkesë të madhe. Ata janë ngjeshur dhe do t’i mundësojnë Kosovës fleksibilitet më të lartë në trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi.
Kjo pajisje vitale mund të dëshmohet si shpëtimtare për pacientët mushkëritë e të cilëve nuk funksionojnë si duhet përkundër marrjes se oksigjenit.
“Në përgjigje të nevojës së Kosovës për më shumë pajisje mjekësore, Shtetet e Bashkuara po i dhurojnë 50 respiratorë të ri dhe nga më bashkëkohorët. Kjo shprehje e partneritetit tonë SHBA-Kosovë është gjithashtu edhe një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëdyzimit të zemërgjërësisë amerikane dhe inovacionit të industrisë private amerikane. Shpresojmë që këto aparate mjekësore t’u mundësojnë ofruesve të shërbimeve shëndetësore anembanë Kosovës të shpëtojnë më shumë jetëra,” tha ambasadori Philip Kosnett.
Në njoftim thuhet se krahas respiratorëve, USAID-i po financon edhe një pako mbështetëse e cila përfshin pajisjet shoqëruese, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinaret në internet. Uebinaret janë zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF) dhe do t’u ndihmojnë punonjësve shëndetësor të Kosovës qe t’i përdorin në mënyrë të duhur dhe të sigurt këta ventilatorë të veçantë.
Tutje theksohet se ky donacion ndërtohet mbi bazën e ndihmës paraprake në vlerë prej 1.6 milion dollarë amerikan që Departamenti i Shtetit i ShBA.-ve dhe USAID-i kanë obliguar për Kosovën, me qëllim të mbështetjes së masave që ajo po merr kundër pandemisë si dhe ofrimit të ndihmës operacionale dhe rritjes se aftësisë reaguese të saj për të ndaluar përhapjen e mëtejme dhe zbutur pasojat e COVID-19.