Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.
Në këtë mbledhje KE bëri një rezyme për përfundimit të garave në të gjitha rangjet dhe kategoritë me konstatimin se garat ishin zhvilluar sipas dinamikës së paraparë e që reflektuan me ngritje të cilësisë, shtim në organizim dhe rivalitet sportivë.
Ky komitet i uroi ekipet që arritën të kalojnë një rang më të lartë të garave, ndërsa atyre që u larguan nga ligat u dëshiroi suksese në të ardhmen.
“KE caktoi datën 31 korrik kur do të hedhet shorti i garave për edicionin 2023/2024, ndërsa edicioni i ri 2023/2024 fillon me garat e Superligës më 12 gusht, ndërkaq ato të Ligës së Parë më 19 gusht. Njëkohësisht garat e Ligës U21 nisin njëjtë me garat e Superligës më 12 gusht”, njofton Federata e Futbollit të Kosovës
Po ashtu Komiteti Ekzekutiv miratoi edhe Rregulloret e garave në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.
Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024.
Kësisoj, pas diskutimeve të arsyeshme, KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards. Mandati i tyre do të jetë deri në përfundim të ciklit kualifikues për Evropian.
KE shqyrtoi edhe Kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.